Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me zbatimin e planit francez në Maqedoninë e Veriut, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Republika e Bullgarisë vëren me shqetësim tezat e fundit të autoriteteve në Shkup, të cilat devijojnë ndjeshëm nga thelbi i Konsensusit Evropian të vitit 2022”, publikoi mbrëmë në në faqen e saj të internetit Ministria e Jashtme e Bullgarisë.
Ata deklarojnë se “çështja se në çfarë gjuhe duhet të jetë Plani për të Drejtat e Komuniteteve që pritet nga Republika e Maqedonisë së Veriut është një çështje e brendshme e vendit fqinj dhe nuk është temë e marrëdhënieve dypalëshe”.
“Dokumenti do të zbatohet nga institucionet e saj ndaj qytetarëve të vet dhe është logjike që ai të jetë në një gjuhë të kuptueshme për ta. Zgjedhja e Shkupit për t’ua paraqitur draftin e këtij plani qytetarëve të saj në anglisht është e vështirë të shpjegohet, veçanërisht nëse Plani synon të zbatohet vërtet”, thotë Ministria e Jashtme bullgare.
Nga Sofja kujtojnë se Plani për të Drejtat e Komuniteteve është një hap që synon të ndjekë hyrjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, e cila është ende në vazhdim dhe që do t’u lejojë, siç thonë ata, fqinjëve tanë të hapin negociatat e pranimit.
Nga atje shtojnë se mirëpresin fjalët e Kryeministrit Mickoski se ai do të “pranojë të gjitha komentet e tjera” të komunitetit bullgar në Plan dhe mbështeten tek ai që ta mbajë këtë premtim.




