MPJ demanton Hoxhën: Fotografitë nga Lukoili janë të vjetra, me karburante furnizohemi nga kompani vendase

Ministria e Punëve të Jashtme në një përgjigje për TV21, ka hedhur poshtë si të pavërteta pretendimet se ky dikaster qeveritar furnizohet me derivate të naftës nga kompania Lukoil, për të cilën kompani ministri Bujar Osmani tha mbrëmë në ClickPlus se financon ushtrinë ruse.

Sot në publik por edhe sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha akuzuan Osmanin se dikasteri që udhëhiqet nga ai, ka qëndrime kontradiktore, duke aluduar se MPJ furnizohet me naftë nga kompani ruse ndërkaq deklarohet se dënon agresionin rus në Ukrainë.

Nga MPJ thonë se fotografitë që publikohen janë të vjetra dhe se me derivate të naftës furnizohet nga një kompani vendase.

“Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka marrëveshje aktuale për prokurimin e derivateve të naftës me Lukoil, por me një kompani vendase për tregtimin e derivateve të naftës.
Fotografitë që po paraqiten në publik i referohen marrëveshjes së vjetër, që ka skaduar verën e kaluar.
Raporti ndaj kompanive ruse në vend është pjesë e aktiviteteve, të cilat shteti i merr për shkak agresionit ushtarak rus në Rusi mbi Ukrainën, dhe ky raport do të vazhdojë derisa zgjatë agresioni”, qëndron në përgjigjen e MPJ-së./TV21