MPB: Zgjedhjet e përsëritura përfunduan pa shkelje të rendit dhe qetësisë publike

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar se zgjedhjet lokale të cilat un mbajtën në katër komuna u zhvilluan në atmosferë paqësore, të drejtë dhe demokratike, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë gjithë ditës, Ministria e Brendshme ndërmori masa dhe aktivitete brenda kompetencave të saj me qëllim sigurimin e zhvillimit të qetë dhe të sigurt të procesit zgjedhor. Nuk u regjistrua asnjë incident ose shqetësim i rendit dhe qetësisë publike”, informoi MPB.

Zgjedhjet e përsëritura për kryetarë u mbajtën në katër komuna: Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë&Rostushë dhe Qendër&Zhupë. Zgjedhjet përsëriten për shkak se në rrethin e parë të zgjedhjeve të rregullta të mbajtura në tetor nuk u arrit pragu i daljes së një të tretës së votuesve apo 33.33%.

Në Gostivar pjesëmarrja ishte 33.31 %, në Vrapçisht 25.18%, në Mavrovë&Rostushë 30.31% dhe në Qendër Zhupë 21.49%. Në zgjedhjet e përsëritura nuk vlen pragu i daljes prej një të tretës së votuesve.