Ndonëse aktualisht, uniformat e policisë janë vetëm në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në to mungon gjuha shqipe, uniformat e reja të policisë në qytetet ku shqiptarët janë së paku 20% do të jenë edhe në gjuhën shqipe, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Të pyetur nga TV Shenja nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se gjuha shqipe do të implementohet në uniformat e reja për të cilat thirrja publike ka dështuar për të tretën herë me radhë. Gjithashtu nga ministria thonë se në përputhje me planin e prokurimeve publike për vitin 2026, planifikohet procedurë e re e prokurimit publik për të siguruar emblemat dhe shenjat e nevojshme.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Në qytetin e Shkupit dhe në komunat ku mbi 20% e qytetarëve flasin gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja, është paraparë përdorimi i shenjave dygjuhësore/tregjuhësore, në përputhje me dispozitat e Rregullores për ndryshimin e Rregullores për uniformën dhe shenjat e uniformës së policisë. Ministria e Punëve të Brendshme në tri raste ka zhvilluar procedurë të prokurimit publik për emblema dhe shenja për uniformën e pjesëtarëve të policisë, e cila përfundoi me vendim për anulim dhe për këtë arsye ato nuk janë furnizuar”
Sipas ligjit të miratuar vite më parë, në Shkup dhe komunat ku jetojnë së paku 20% shqiptarë, përpos në alfabetin cirilik, mbishkrimi në uniformat e policisë duhet të jenë edhe në shqip varësisht për cilën uniformë bëhet fjalë dhe atë, policisë, policisë së trafikut, policisë kufitare dhe policisë intervenuese.
TV Shenja u interesua edhe për shënjimin e veturave të policisë dhe mungesës së gjuhës shqipe. Nga MPB thanë se veturat etiketimi bëhet në bazë të ligjeve në fuqi.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME – TABELË
“Shënjimi/etiketimi i automjeteve zyrtare të Policisë bëhet në përputhje me dispozitat në fuqi të Rregullores për mënyrën e regjistrimit të automjeteve të Policisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe për formën dhe përmbajtjen e targave të regjistrimit”
Ankesat e shumta nga ana e qytetarëve janë edhe për mungesën e gjuhës shqipe në veturat e reja të policisë të cilët janë vendosur së fundi në qarkullim.
Mevludin Imeri /SHENJA/





