MPB: Për një ditë kemi arrestuar katër kriminelë, të dënuar me 41 vjet burgim

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut në një njoftim të lëshuar njofton se për më pak se 24 orë janë arrestuar katër kriminelë të kërkuar.

Arrestimet janë bërë nga Sektori për bashkëpunim ndërkombëtar policor-Dikasteri për hetime me asistencë të Njësitit për detyra speciale. Katër të arrestuarit duhet të vuajnë gjithsej 41 vite burg.
Sipas MPB-së, në vendkalimin kufitar “Tabanoc” është arrestuar M.Z. (39) nga Shkupi i dënuar me 19 vite burg dhe i kërkuar me fletëarrest ndërkombëtar.
Poashtu është arrestuar edhe A.F. (28) nga Shkupi, i dënuar me gjithsej 9 vite e gjysmë arrest.
Të hënën në ora 14 e 50 minuta është arrestuar edhe G.E. (43) nga Tetova i cili duhet të vuajë dënim në kohëzgjatje prej 6 viteve e pesë muaj.
Pak më herë, në ora 10 e 30 minuta, të hënën në fshatin Trebosh është arrestuar edhe R.F. (47) nga ky fshat, i dënuar me 6 vite burgim.