MPB paralajmërojnë gjoba të larta për shitësit dhe përdoruesit e mjeteve piroteknike

“Vetëm pak orë na ndajnë nga ndërrimi i viteve dhe tashmë qytetarët nxitojnë të përfundojnë obligimet e tyre për të festuar me familjarët apo për të realizuar planet që kanë për ndërrimin e moteve. Megjithatë edhe pse atmosfera festive ndjehet në qytet, duhet ta pranojmë që është më e vobektë se vitet e kaluara. Tani që ndërrimi i viteve është shumë pranë, institucionet kanë dal me apelet e tyre, si nga uniformat e policisë, ashtu edhe nga mantel bardhët”, raporton gazetarja e Alsat, Evi Shkopi.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se qytetarët duhet të mos përdorin mjete piroteknike, për sigurinë e tyre dhe të personave që i kanë pranë. Në të kundërtën, gjobat për përdorimin e mjeteve shpërthyese arrijnë deri në 500 euro, ndërsa shitësit e tyre mund të dënohen edhe me burg. Alkooli është një tjetër shqetësim gjatë festive, vetëm dy javët e fundit rreth 1000 shoferë kanë qenë nën efektin e alkoolit, shkruan Alsat.

“Ju uroj që nata e ndërrimit të moteve të kalojë e qetë, e sigurtë, me festë. Të festojmë nëpër sheshe, restorante, nëpër shtëpi, por assesi në spitale. Kuptohet që kjo të mos ndodhë duhet çdonjëri nga ne të tregohet i përgjegjshëm dhe të mos përdorim mjete piroteknike, sepse këto të fundit mund të shkaktojnë lëndime, që përveç se shkatërrojnë festën, mund të na lënë të dëmtuar gjithë jetën. Ne gjithë kohës do të jemi në terren, nëpër sheshe, në rrugë. Policia do të jetë aty gjatë gjithë kohës për të siguruar rendin dhe qetësinë publike”, tha Toni Angelovski- zëdhënës i MPB-së.

Shqetësimi më i lartë është për të miturit, të cilët shpeshherë festojnë, pa menduar pasojat. Milica Bubalo nga Qendra Urgjente, shpreson që të rriturit të jenë të matur me ushqimin dhe pijet, ndërsa të mbajnë nën vëzhgim edhe të miturit.

“Porosia është që të mos teprohet me konsumimin e alkoolit, veçanërisht tek të miturit, të mos konsumojnë pijë alkoolike. Nëpër dyqane ka edhe shampanjë joalkoolike, nëse duan patjetër të konsumojnë pijë të tilla. Të mos e teprojnë me ushqimin dhe me pas të kenë vështirësi. Qytetarët e besimit ortodoks të cilët agjërojnë, gjatë pashkëve të mos e teprojnë me ushqimin e yndyrshëm.Unë do kisha lutur që të mos përdorin substance narkotike”, u shpreh Milica Bubalo nga qendra urgjente.

Mjekët gjithashtu apelojnë për kujdes dhe respektimin e masave mbrojtëse nga pandemia e koronavirusit, pasi çdo pakujdesi mund të rris numrin e të infektuarve./ Alsat.mk