MPB-ja për sulmin në Mitrovicën e Veriut: Serbia po tenton ta eskalojë situatën

Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar pas sulmit me granatë dore në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Në një postim në faqen zyrtare në Facebook, MPB-ja i ka quajtur këto sulme terroriste.

Bëhet e ditur se Policia ka marrë masat e menjëhershme për hetimin e rasteve dhe identifikimin e autorëve.

“Mbrëmë në orët e vona, ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me mjet shpërthyes, që sipas ekspertizës dyshohet të jetë granatë dore e llojit M75. Nga ky akt kriminal, janë dëmtuar dhe dy vetura zyrtare që gjendeshin pranë objektit. Policia e Kosovës ka marrë masat e menjëhershme në investigimin e rastit dhe identifikimin e autorëve”, thuhet në njoftim.

MPB-ja ka deklaruar se sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë.

“Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të eskaluar situatën në veri të vendit. Ne mbesim vigjilent dhe të angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në njoftim.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka thënë se sulmi i mbrëmshëm me granatë dore M75 në objektin e komunës është padyshim sulm i organizuar terrorist.

“Këto akte kriminale e terroriste që tentojnë të ngjallin frikë nuk do të ia dalin. Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve e kërcënimeve të tilla.  Në anën tjetër, unë i bëj thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që ta trajtojnë me urgjencë rastin dhe kryesit e këtij sulmi të vihen sa më parë para drejtësisë”, ka shkruar ai.