MPB, DAP-i dhe Inspektorati në këmbë, mbyllin katër objekte në Tetovë!

Ministria e Punëve të Brendshme, Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe Drejtoria për të Ardhura Publike mbrëmë kanë realizuar aksion koordinues kontrollues në objekte hotelerike dhe kazino në territorin e Tetovës dhe rrethinë, transmeton TV21.

Nga MPB-ja njoftojmë se gjatë kontrolleve janë mbyllur katër objekte në bazë të nenit 64 të Ligjit për mbrojtje të popullsisë nga sëmundje ngjitëse.

Në dy objekte janë konstatuar shkelje në bazë të Ligjit për mbrojtje nga duhanpirja, kurse për tre objekte është kërkuar dokumentacion shtesë në përputhje me Ligjin për veprimtari hotelerike, kështu që procedura për të njëjtit vazhdon deri në kontrollimin e tërësishëm të dokumentacionit.

Janë shqiptuar edhe gjoba nga DAP-i për shkak të moslëshimit të faturave fiskale.

Në këtë kontroll, në 4 objektet tashmë të mbyllura janë kapur 27 persona pa certifikatë për vaksinimit, kurse në dy objekte janë gjetur edhe persona pa licencë për të kryer punën e sigurimit, përfundojnë nga MPB-ja./TV21