Mosrespektim i rregullave për mbrojtje nga Kovid-19 në Greqi, tifozët e Olimpiakosit pa masat e nevojshme e festuan titullin

Tollovi, mosmbajtje e distancës dhe mosrespektim i masave parandaluese për mbrojtje nga Kovid-19 janë vërejtur përsëri në Greqi në klubet e natës, kafenetë, anijet, aeroportin e Athinës, por edhe gjatë festimit të titullit të Oimpiakosit nga tifozët e klubit të futbollit që u mblodhën para stadiumit, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Mediat greke, përsëri publikuan video dhe foto nga një seri e mosrespektimit të masave, veçanërisht në kafene dhe klubet e natës në pjesë të ndryshme të vendit.

Televizioni “Mega” publikoi fotografi nga aeroporti i Athinës, ku në pjesën e check-in të biletave nuk është mbajtur distancë e duhur, ndërsa televizioni “Skaj”, përmes një fotografie nga porti i një ishulli grek, komentoi se pasagjerët nuk mbanin distancën gjatë hyrjes në anije.

Klubi i futbollit Olimpiakos përmes fitores ndaj Aekut dje u bë zyrtarisht kampion në Greqi, ndërsa ndeshja u zhvillua pa publik, tifozët u mblodhën para stadiumit dhe e festuan titullin. Festa vazhdoi edhe nëpër rrugët e Pireut.

Në asnjë moment, sipas videove dhe fotografive të publikuara, asnjëri nga të pranishmit nuk i ka respektuar masat për mbrojtje nga Kovid-19, ndërsa në pjesën përpara stadiumit, ku ishte vendosur një video bim, fesa filloi para përfundimit të ndeshjes dhe kulmoi me materiale piroteknike.

Identike ka qenë fotografia edhe në rrugët e Pireut, ku futbollistët nga autobusi dy katesh i përshëndetën tifozët e tubuar.

Qeveria greke ka paralajmëruar intensifikimin e kontrolleve dhe inspektimeve, ndërsa nga nesër pasdite Zëvendësministri i Mbrojtjes Civile të Greqisë, Nikos Hardalias do të mbajë përsëri konferencë për shtyp, kësaj herë një herë në javë në lidhje me pjesën operative lidhur me respektimin e masave. /MIA