Moscertifikimi i Listës Serbe, BE: Politizimi i KQZ-së nga VV dhe partitë tjera, i dëmshëm

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës ka kritikuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në reagim thuhet se politizimi i KQZ’së nga Vetëvendosja dhe partitë tjera politike, është i dëmshëm për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës.

“BE në Kosovë shpreh keqardhje për vendimin e 🇽🇰 Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos e certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme të 28 dhjetorit. Politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe parti të tjera politike është i dëmshëm për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe raportin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së”, thuhet në reagim.

Edhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, u shpreh seriozisht i shqetësuar, siç tha, me përpjekjet për ta penguar Listën Serbe të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit

Hargreaves ka deklaruar se veprime të tilla rrezikojnë të dëmtojnë reputacionin e vendit si një demokraci multitnike dhe të cenojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të ngushtë.

“Jam seriozisht i shqetësuar për përpjekjen e fundit të aktorëve politikë për të penguar Listën Serbe të marrë pjesë në proceset zgjedhore. Veprime të tilla rrezikojnë të dëmtojnë reputacionin e fituar me vështirësi të Kosovës si një demokraci multietnike dhe të cenojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të ngushtë. Shpresoj që Paneli për Ankesa dhe Parashtresa Zgjedhore të vlerësojë sërish aplikimin e Listës Serbe për certifikim, në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Kosovës”, ka shkruar ambasadori britanik.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sërish nuk e ka certifikuar Listën Serbe. Dy vota ishin për, dy kundër dhe shtatë abstenim.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe anëtarja serbe votuan për, ndërsa dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, votuan kundër.