Shkruan: Blerim Shala
Oraret dhe afatet janë pjesë e pandashme e demokracisë. Dikush mund të thotë që janë edhe thelbi i demokracisë. Respektimi i tyre, i kohës pra, i cikleve zgjedhore (gjithsesi), i procedurave të parapara me Kushtetutë dhe me Ligj, është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm.
Kjo kryefjalë ka marrë një konfirmim të fuqishëm në politikën kosovare e cila gjatë gjithë këtij viti, apo, thënë më mirë që prej 9 shkurtit të vitit 2025, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ka telashe të mëdha me procedura, me kohë, me afate, me orare dhe sipas të gjitha gjasave, edhe me zgjedhje.
Nëse të gjitha këtyre fakteve ia shtojmë mungesën e vullnetit për bashkëpunim politik për të ndërtuar institucione të pushtetit qendror, si dhe gatishmërinë e pashtershme (si po duket), për përplasje të çfarëdollojshme politike, atëherë nuk është e habitshme pse kemi mbërri në shkallën më të ulët në zhvillimet politike në Kosovë, që prej se jemi bërë shtet i pavarur para 17 viteve.
Për më shumë, së paku nga perspektiva e sotme, gjithsesi e mjegulluar, është tej mase e vështirë të parashikohet se si do të ecin punët tash e tutje në këtë politikën kosovare, teksa nuk është larg mendsh që pas disa muajve do të mund ta kujtojmë madje për të mirë krizën politike të këtij viti.
Siç thonë ndër ne: ‘Mos raftë me u harru…’.
E nuk do të jetë befasi nëse do të harrohet.
Kësaj radhe, kemi të bëjmë me disa sprova politike, secila më e vështirë dhe më tronditëse (në perspektivë) se tjetra.
E para është kjo e zakonshmja që reflekton ngërçin e vazhduar parlamentar dhe qeveritar, i cili ka mbërri tashmë në stadin kur duhet të merr një epilog të prerë, i cili më së shumti po anon kah mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare, kësaj here të parakohshme, nëse nuk do të ketë befasi të madhe të orëve të fundit në formë të krijimit të një qeverie të re.
E dyta lidhet me afatin dhe procedurën e miratimit të Buxhetit të Kosovës për vitin 2026, si dhe orarin e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, dhe kohën kur do të mund të formohej Qeveria e re e Kosovës në muajt e parë të vitit të ardhshëm, në mënyrë që të evitohet kriza buxhetore e vendit, e cila gjithsesi do t’i linte në harresë të gjitha problemet me të cilat jemi përballur gjatë këtij viti.
E treta sprovë përkon me zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, proces ky i cili duhet të merr fund jo më larg se në javën e parë të muajit mars të vitit të ardhshëm, në mënyrë që t’i shmangemi zgjedhjeve të tjera parlamentare, në vijim të dështimit të përmbushjes së këtij detyrimi kushtetues dhe politik.
Për këtë shkak zaten ka nisur të flitet ditëve të kaluara edhe për opsionin e mbajtjes së dy palë zgjedhjeve parlamentare në pesë-gjashtë muajt e ardhshëm.
Këto tri sprova të para dhe të analizuara së bashku, në atë variantin më të keq të mundshëm, mund të konkludohen me një bankrotim relativ financiar dhe mbase, bankrotim të mirëfilltë politik të Kosovës.
Tepër shumë për një shtet të vogël dhe ende të ri, çfarë është Kosova.
Të gjithë pra që janë pjesë e politikës kosovare, herët a vonë do të duhej të përballeshin me kambanat e alarmit, të cilat kanë nisur të bien me të madhe, për të gjithë veshët e politikanëve por edhe të qytetarëve të vendit.
Duhet ndalur këtë tatëpjetë të madhe të këtij viti politik, që si po duket, mund të përshkallëzohet edhe më shumë në javët dhe muajt e mbetur të vitit 2025, dhe në ata që do të shënojnë pjesën e parë të vitit 2026.
Nëse gjërat dhe proceset politike në të cilat po kalojmë analizohen me gjakftohtësi dhe me urtësi, nuk do të jetë e vështirë të mbërrihet në përfundimet e duhura se çka duhet bërë tash e tutje që të shmanget skenari më i keq i mundshëm.
Por, dikush mund të thotë këtu që sikur ky tipar (i gjakftohtësisë dhe urtësisë), të mbizotëronte pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ne as që do të mbërrinim ku jemi sot.
Apo jo.




