Mos kërko njeri te ai që nuk ka turp!

Plehrat që i shihni në foton që e shoqëron këtë tekst janë hedhur sot buzë lumit Treska, te vendi i quajtur Kthesa. Edhe atë jo natën, jo fshehurazi, por në mesditë dhe atë nga ndonjëri që e pastron oborrin e shtëpisë së vet, por duke e qelbur gjithë botën me jonjerëzoren në vetvete.
Pse, mos vallë mund të jetë ndryshe në një komunë ku ish kryetarin e saj, e sot deputet republikan, nuk e brenë ndërgjegjja dhe flenë i qetë, përderisa për çdo ditë kalon pranë objektit më të bukur që dikur kishte Shkupi – Liqenin Treska – e të cilin komuna e drejtuar nga ai, e jo qytetarët, e shndërroi në rrënoja dhe kazanë plehrash, duke i gënjyer qytetarët se aty do ndërtohej qendër turistike, e cila me teleferik do lidhej me liqenin e Matkës?!
Pra si mund të jetë ndryshe në komunat që drejtohen nga të ngjashmit me ish kryetarin e Çairit, e sot Zv./Kryeministër, e që e shkatërroi komunën që drejtonte, por duke e mbështetur programin e gjelbër të BDI-së, me të cilin program aq u ‘gjelbëruan’ komunat shqiptare sa sot janë të mbuluara me kope plehrash e mbeturinash.
Ku ta dish, mbase problemi nuk qëndron te ata që pafytyrshëm e gënjejnë popullin e vet, që e keqpërdorin injorancën dhe harresën e disa votuesve, që manipulojnë me të papunët e hallexhinjtë, por te ne që kërkojmë njeri mes atyre që nuk kanë turp! (Kim Mehmeti)