Mos-certifikimi i Listës Serbe, BE: Qëndrimi i LVV-së, për keqardhje

Bashkimi Evropian ka shprehur zhgënjimin për mos-certifikimin e dy partive politike serbe të Kosovës, duke theksuar se një proces gjithëpërfshirës zgjedhor është thelbësor për marrëdhëniet e ardhshme mes Kosovës dhe BE-së.

Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, tha se “është për keqardhje qëndrimi i Vetëvendosjes gjatë procesit të certifikimit” dhe kërkoi që partitë që i plotësojnë kriteret ligjore të lejohen të marrin pjesë në zgjedhje dhe përfaqësuesit e zgjedhur të ushtrojnë mandatin e tyre në të gjithë Kosovën, raporton Klankosova.tv.

Po ashtu, Hipper bëri thirrje që institucionet përgjegjëse të sigurojnë një proces certifikimi në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe parimet e shtetit të së drejtës.

“Çdo përjashtim i aktorëve politikë bie ndesh me parimin themelor të pjesëmarrjes demokratike kuptimplotë të të gjitha komuniteteve”, ka thënë zëdhënësja Hipper, duke shtuar se BE-ja do të vazhdojë ta monitorojë nga afër situatën.

Gjatë mbledhjes së djeshme (e enjte) të KQZ-së, u mor vendim që Lista Serbe të mos certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 tetorit. /Klankosova.tv