Montazhi që ‘tronditi’ Kosovën: Sulmi i rrezikshëm propagandistik ndaj Presidentes Osmani

Ditëve të fundit, ka qarkulluar një fotografi montazh, në të cilën paraqitje presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, krah politikanëve serbë, Ana Brnabiq dhe Marko Gjuriq.

Kjo mori vëmendje të madhe dhe nxiti reagime të shumta, derisa u vu në pah rreziku nga montazhet e tilla dhe besueshmëria e materialeve mediatike.

Për këtë gjë, reagoi se dhe  Presidenca e Republikës së Kosovës ku e bëri të qartë se imazhi është plotësisht fake, dhe se është një montazh i ndërtuar që synon të krijojë konfuzion te publiku dhe të dëmtojë reputacionin e Presidentes.

“Një fotografi e manipuluar dhe e krijuar përmes mjeteve të inteligjencës artificiale po qarkullon në rrjete sociale, me qëllim të vetëm, denigrimin e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe ushqimin e narrativave të fabrikuara që u shërbejnë agjendave të huaja.

Kjo pamje është FAKE, një montazh i ndërtuar që të krijojë konfuzion dhe ta dëmtojë figurën e Presidentes Osmani, e cila çdo ditë, me seriozitet, përkushtim dhe integritet institucional, mbron interesat e Kosovës dhe përfaqëson shtetin tonë me dinjitet në arenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Presidenca e cilëson publikimin e materialeve të tilla si një akt të ulët dhe të rrezikshëm, duke e lidhur atë me fushata të organizuara për përhapje të dezinformimit dhe përpjekje për të baltosur institucionet e shtetit.

Institucioni i Presidencës i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe autoriteteve kompetente që të ndërmarrin masa ndaj përhapësve të këtyre dezinformatave, të cilat paraqesin rrezik për sigurinë publike, stabilitetin dhe institucionet e vendit.

Mekuli: Manipulimi si mjet politik: rreziku i ri për hapësirën shqiptare

E për këtë çështje, për “Bota sot” foli njohësi i medias, Gëzim Mekuli.

Image

Gëzim Mekuli

Foto galeri

Si fillim, ai tha se rasti i presidentes Osmani nuk është rast i izoluar, derisa tha se ky është sinjal i qartë dhe shqetësues për realitetin e rremë dhe propagandat që po zhvillohen në vendin tonë.

“Shfaqja e fotografisë së manipuluar të Presidentes së Kosovës, një produkt i inteligjencës artificiale që e paraqet znj. Osmani pranë figurave të larta politike serbe, nuk është një incident i izoluar. Ky është një sinjal i qartë i mënyrës se si teknologjia e re po përdoret për operacione psikologjike, propagandistike, për destabilizim dhe për të fabrikuar realitete të rreme në hapësirën shqiptare.

Rasti është simptomë e një strategjie më të gjerë: përdorim i mjeteve teknologjike për të minuar besimin publik, për të delegjitimuar institucionet e Kosovës dhe për të krijuar turbullira politike të kontrolluara nga Serbia”, deklaroi ai.

E për këtë, Mekuli tha se ky rast duhet parë si një pjesë e propagandës serbe, derisa kujtoi një rast nga e kaluara.

Kjo është arsyeja pse duhet ta shohim këtë manipulim jo si “rast të izoluar”, por si pjesë të një tradite të vjetër propagandistike serbe, të modernizuar me teknologjitë e inteligjencës artificiale.

Sa për kujtesë: që në vitin 1909, Dimitrije Tucoviqi shkruante: “Shqipëria është plot me agjentë dhe misionarë të këtyre shteteve, që po japin shuma të mëdha për blerjen e parisë e të bajraktarëve… Në 20 deri 30 vjetët e fundit në këto vise nuk qe asnjë lëvizje që nuk ishte në lidhje me planet politike të këtyre fuqive të huaja… Rëndësia e saj nuk është në fushën ekonomike, por strategjike dhe politike…”

Nëse ky tekst nuk do të kishte datë, kushdo që e lexon sot do të mendonte se flet për vitin 2025.

Kur lexojmë këtë shkrim mbi 100 vjet më vonë, kuptojmë se mjetet kanë ndryshuar, por logjika e ndikimit gjeopolitik serb ka mbetur e njëjtë. Atëherë veprohej me gazeta, agjentë dhe para për të blerë “parinë dhe bajraktarët”; sot veprohet me televizione, portale, rrjete sociale dhe produkte të AI-së”.

Krahas kësaj, njohësi tha se fotografia e bërë montazh e presidentes Osmani është sulm ndaj Kosovës.

Në këtë rast, ai tha se kjo propagandë e rrezikshme synon të godasë tri shtylla kryesore të vendit tonë, derisa zbërtheu secilën prej tyre,

“Fotografia e manipuluar e Presidentes është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit të Kosovës

E thash edhe më sipër se qarkullimi i fotografisë së manipuluar të Presidentes së Kosovës, Osmani, ku ajo paraqitej pranë Vuçiçit dhe Brnabiqit, nuk është as hajgare, as montazh i padëmshëm, as lojë e rrjeteve sociale. Është një operacion propagandistik i mirë-koordinuar serb, i cili synon të godasë tre shtylla thelbësore:

1. Besimin ndaj institucioneve

Fotomontazhi nuk synon fytyrën e Presidentes; synon besimin e publikut, duke sugjeruar se udhëheqja është e infiltruar, e lidhur me Serbinë ose po bëjnë tradhti kombëtare. Këtu edhe fillon erozioni i rendit politik.

2. Stabilitetin e brendshëm

Në një shoqëri të polarizuar nga mediat helmuese, një fotografi e rreme ndez polemika, krijon tensione dhe ushqen dyshime. Serbia e di fort mirë se destabilizimi politik i Kosovës nuk fillon me tanke, por me media, fotografi dhe fjalë të rreme, apo jo?

3. Perceptimin ndërkombëtar

Një gjë duhet ta dimë; edhe kur dezinformimi demaskohet, dëmi fillestar mbetet: krijon dyshime në qarqe diplomatike dhe zbeh imazhin e lidershipit të Kosovës”, sqaroi Mekuli ndër të tjera”.

Për fund, shtoi se, “E ky marifet nuk është i ri; Serbia ka traditë shekullore të përdorimit të propagandës për të krijuar fotografive të përpunuara nga IA dhe mediave të kontrolluara nga Serbia”.

Burjani: Organet kompetente duhet të marrin masa dhe të zbulojnë individët apo grupet e shumta të njerëzve që punojnë kundër shtetit

Ndërsa, juristi Blerim Burjani e sheh shqetësues këtë zhvillim, derisa tha se rasti me manipulim me foto të presidentes është një vepër e dënueshme me ligj.

Image

Blerim Burjani

Foto galeri

Po ashtu, ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se sulmet e tilla ndaj krerëve të shtetit dhe zyrtarëve tjerë janë alarmante.

“Ajo që po ndodh është kundër Presidentes. Kjo mund dhe duhet të cilësohet si vepër e dënueshme me ligj. Komprometimi që po bëhet përmes propagandës dhe sulmet kundër figurave politike në Kosovë janë shqetësuese. Kjo po u ndodh shumë individëve, jo vetëm politikanëve, por edhe figurave të larta të kulturës dhe gazetarëve hulumtues”, u shpreh ai.

Krahas kësaj, juristi kërkoi të merren masa të rrepta nga organet e drejtësisë për këtë rast.

“Organet kompetente duhet të marrin masa dhe të zbulojnë individët apo grupet e shumta të njerëzve që punojnë kundër shtetit dhe kundër përfaqësuesve politikë të popullit”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.