I dënuari për rastin “Lagja e trimave”, Shefqet Hallaqi ka komunikuar nga qelia e burgut përmes celularit me ish prokuroren speciale Fatime Fetai me 19 qershor te këtij viti. Prokurorja Fetai në seancën e sotme të rastit “Monstra” dorëzoi dosjen tek trupi gjykues, të cilën Hallaqi përmes aplikacionit whats up i kishte dërguar disa biseda të përgjuara telefonike që kanë të bëjnë me rastin Monstra. Sipas raportit të prokurores që i dorëzoi gjykatës, Hallaqi i kishte thënë Fetait se dosjen e njëjtë ia ka dërguar edhe El Chekes. Disa prej bisedave janë mes Ali Ahmetit dhe personit N.N. si dhe mes Orce Kamçev dhe Olivera Trajkovskës, tani më të njohura si “bombat” e ish-opozitares LSDM.
Shefqet Hallaqi, siç mu prezantua me sms porosi, më tha se me pëlqimin e Sami Ukshinit dhe Valdet Zekës, të njëjtën dosje ia ka dërguar edhe ‘El Chekas’. Një ditë pas pranimit të atyre bisedave të përgjimeve në ‘What’s app’ njoftova kryeprokuroren Janeva. Vendosëm që të kërkojmë ndihmë nga Sektori i MPB-së për shkarkimin e tyre sipas Ligjit për procedurë penale dhe dy Hard Disqet prej 140 GB i dorëzuam në Gjykatë Penale, përkatësisht gjykatësve që udhëheqin me rastin Monstra”-tha Fatime Fetai, prokurore.
Ndryshe, gjatë prezantimit të provave materiale, në seancën e sotme u lexuan edhe katër dosjet e MPB-së me raportet hetimore dhe para hetimore që janë procesuar për rastin Monstra. Avokati Naser Raufi tha se nga këto raporte dalin fakte të rrejshme të bëra nga ekipi i forenzikës kujdestare dhe jo nga ekspertët më eminentë. Ai kërkon që dëshmitë të bëhen nga ndërkombëtarët.
Mungesa për vet ekspertizën që është bërë, por edhe për mjetet që kanë përdorur nuk janë prezantuar në kohën kur ka ndodhur ky rast makabër. Nuk ka pasur as skicë të vendit të ngjarjes, nuk mund ta gjejë vet komisioni këtë skicë. Praktikisht ata e pranojnë se në shtetin tonë nuk posedojmë as laborator e as ekspertë që mund të mund ta bëjë analizën e dheut”-pohoi Naser Raufi, avokat i të akuzuarve.
Ata le të thonë çfarë të donë, por në vendngjarje patën dal menjëherë ekipe nga të gjitha sektorët profesionalë, duke përdorur të gjitha metodat e teknikat për marrjen e të dhënave për analizë të mëtejme. Megjithatë, nëse dikush vlerëson se ekspertiza nuk është bërë si duhet, në MPB ekzistojnë dëshmitë materiale, të cilat sërish mund të ekzaminohen. Kjo nuk duhet të jetë mangësi e procesit gjyqësor, madje kjo edhe më tepër është në dobi të të akuzuarve”-theksoi Dafinka Ivanovska, avokate e të dëmtuarve.
Sipas njërit nga këto raporte, rastin në 192 i pari e paraqiti qytetari Zoran Velkovski, i cili gjatë lëvizjes për tek Liqeni i Smilkovës, rreth orës 22:15 të 12.04.2012 kishte vërejtur një veturë, rreth së cilës të shtrirë disa persona pa shenja jete. Ajo ishte vetura e tipit “Fiat Uno” e peshkatarit të vrarë Borçe Cvetkovski, i cili ishte viktima e pestë si dëshmitarë i mundshëm në vendin e ngjarjes./Alsat