“Monstra”, organizatori i protestës merret në pyetje nga policia – protestat nuk do të ndalen (Video)

Organizatori i protestës për rastin “Monstra”, Blerim Ahmedi, është thirrur sot sërish në bisedë informative në stacionin policor “Bit Pazar” në Shkup, shkruan gazeta LAJM. Ai tha se ishte i detyruar që në polici të shoqërohej nga avokati i tij për të shmangur, siç u shpreh ai, maltretimet që ka përjetuar herën e kaluar. Ahmedi paralajmëroi se, protestat kundër rastit “Monstra” nuk do të ndalen, por akoma nuk është caktuar data për organizimin e radhës.

“Ne jemi thirrur për një bisedë informative rreth çështjes së protestës. Unë jam detyruar të marr avokat për arsye se në rastet tjera më kanë maltretuar me orë të tëra, mirëpo sot sjellja e policisë ishte më ndryshe sepse ishte prezent edhe avokati. Më pyetën se si ka rrjedhur protesta, për eskalimin e situatës, rekomandimet e OBSH-së. Ne ishin gjithçka në rregull, respektuam të gjitha rregulla dhe më pastaj se si janë futur njerëz me maska apo pa maska unë nuk e di. Deri tani ka të arrestuar, ka me paraburgim, ka edhe nga protestuesit që i kanë marrë në pyetje dhe i kanë lënë të lirë. Por, pritet akoma që të arrestojnë njërëz që s’kanë kryer asnjë lloj dhune në protestë por kanë qenë paqësor. Pra, këta kanë kapur njerëz të gabur që nuk kanë kryer dhunë në protesta dhe jo ata që ushtronin dhunë. Provokimi filloi nga ana e policisë. Na u mohua e drejta e protestës. Ne do të vazhdojmë me protestat dhe do të informojmë përmes rrjeteve sociale, por akoma nuk e kemi caktuar datën sepse me avokatët po merremi me lirimin e të arrestuarve”, tha Blerim Ahmedi organizatori i protestës për rastin “Monstra”./Gazeta LAJM