Momenti trumpian i Kosovës

Shkruan: Demush Shasha

Ka një konsensus mjekësor se vetitë kryesore të karakterit të njeriut më se miri shfaqen kur ekspozohet ndaj situatave stresuese. Kjo është edhe arsyeja përse testet e personalitetit janë pjesë esenciale e proceseve rekrutuese në kuadër të profesioneve jashtëzakonisht të ndjeshme dhe komplekse. NASA, CIA, ushtria amerikane, të gjithë përdorin një ose tjetër test psikik të personalitetit në proceset e tyre rekrutuese. Synimi i këtyre testeve është që individët të ekspozohen ndaj situatave të ndryshme stresuese me qëllim të kuptimit të karakteristikave të tyre të thella psikologjike. Në këtë mënyrë institucionet sigurohen se stafi i tyre i ardhshëm është psikikisht i përshtatshëm dhe i aftë të avancojë misionin e institucionit respektiv.

Në këtë sens ajo çfarë ndodhi javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës mund të konsiderohet si një dhuratë e çmuar për komunitetin mjekësor. Ishte një stres test publik, i cili ekspozoi vetitë kyç të karakterit të politikanëve të Kosovës, të cilat do të mund të studiohen tani më detajisht nga komuniteti mjekësor. Mënyra se si secili nga ata politikanë që shihen në video ka reaguar apo nuk ka reaguar, brenda atyre disa sekondave, është material i bollshëm për libra të tërë mbi psikikën e tyre individuale. Edhe ne që jemi laikë në këtë fushë kuptuam nga ato pak sekonda se kush posedon nivel minimal të urtësisë dhe vetëkontrollit; e kush nga ana tjetër fsheh prapa fasadës së kostumit të politikanit modern një mentalitet arkaik mongolian.

Por, përderisa komuniteti mjekësor përfitoi nga ngjarja e javës së kaluar, Kosova si vend patjetër ngeli e dëmtuar. Pamjet e kaosit në Kuvendin e Kosovës qarkulluan si kryelajm në mediat ndërkombëtare duke projektuar kështu në botë imazhin e një vendi të pacivilizuar i cili pikëpamjet e ndryshme ideologjike i komunikon me grushte.

Përderisa palët kanë shkëmbyer akuza dhe kundërakuza për atë se çfarë ndodhi javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës, unë ngelem i pabindur se ajo çfarë ndodhi ishte e planifikuar. Shpjegimi më objektiv duket të jetë se çdo gjë ishte reagim impulsiv i palëve në sfondin e një tensioni të ngritur emocionesh. Dhe, këtu palët ndajnë përgjegjësinë e përbashkët.

Ditëve të fundit në Kosovë krahas me ngritjen e temperaturave janë ngritur edhe emocionet politike në vend. Qe një kohë diskursi ynë publik ka shkuar drejt ekstremizimit. Pushteti konsideron opozitën “të kapur”, opozita konsideron pushtetin “të egër”. Fjalët e rënda sikur “tradhti”, “hajni”, “krimineli”, “argati serb” janë shndërruar në fjalor ditor politik. Për mazhorancën anëtarët e opozitës janë “hajnat e dikurshëm” që duan t’ia “dorëzojnë Kosovën Serbisë”. Për opozitën, Kurti është “tradhtar” dhe “spiun i Serbisë”. Kjo lloj gjuhe ka lëvizur si llava e zjarrtë nga vullkani i foltoreve të Kuvendit dhe zyrat e partive politike drejt studiove televizive dhe rrjeteve sociale duke e ndezur kështu flakë diskursin tonë publik. Çdo ditë portalet partizane janë në garë për të marrë trofeun e titullit më bombastik. Çdo natë studiot televizive mbushen me karaktere dhe gjuhë që ngjall emocione dhe polarizime ekstreme. Në çdo moment në rrjetet sociale po ushqehet mosdurimi ndaj grupit kundërshtar, duke postuar videot të shkëputura nga konteksti, imazhet e fabrikuara apo lajmet e rreme.

E gjithë kjo llavë e zjarrtë e emocioneve po shkon pa vetëdije drejt një zone gri ku po rrëshqasim nga terreni politik drejt një terreni të dhunës. Ajo çfarë dikujt mund t’i duket deklaratë e pafajshme politike në studiot televizive shndërrohet në bindje emocionale për qytetarët e thjeshtë. Bindja shndërrohet në veprim dhe veprimi në dhunë. Kjo është në veçanti e vërtetë në temat që ndërlidhen me luftën çlirimtare dhe marrëdhëniet tona me Serbinë. Këto janë temat që nxisin lehtësisht emocionet ekstreme të njerëzve. Kësisoj jam i bindur se protagonistët e javës së kaluar nuk kanë dashur që situata të përshkallëzojë ashtu siç ka përshkallëzuar, por ata kanë gjetur veten të mbyllur brenda një rrethi vicioz të emocioneve ekstreme politike dhe një shkëndijë e vogël ka mjaftuar që situata të shpërthejë ashtu siç ka shpërthyer. Nëse politikanët me përvojë kanë dështuar të ruajnë qetësinë e tyre, si do ta ruajnë qetësinë militantët në Podujevë apo Malishevë?

Nuk është Kosova e izoluar nga ky trend i polarizimeve politike ku po luhet me vijën ndarëse në mes politikes dhe dhunës. Pak a shumë e njëjta gjë ndodhi në SHBA, në vitin 2021. Kur më 6 janar Trumpi i tha turmës së mbledhur se “do të luftojmë” dhe “do të marshojmë drejt Kongresit”, ai ndoshta edhe nuk ka menduar literalisht që protestuesit duhet të luftojnë me policinë dhe të pushtojnë Kongresin, por pikërisht kështu e ka kuptuar turma e mbushur me emocionet ekstreme. Kur pushteti në Kosovë akuzon opozitën se po ia “dorëzon Kosovën Serbisë” apo kur opozita bën thirrje për të ndalur “tradhtinë” e Kurtit – ata sigurisht këtë nuk e mendojnë literalisht, por si do ta kuptojë turma e mbushur me emocionet ekstreme?

Në këtë kontekst, qoftë në SHBA apo në Kosovë, partitë politike kanë një përgjegjësi të veçantë që të ruajnë normalitetin e diskursit tonë publik. Ngritja e emocioneve politike mbi temat e ndjeshme mund të jetë tundim sfidues për partitë politike. Ajo është rrugë e shkurtër drejt fitimit të përkrahjes publike dhe rritjes së shpejtë politike. Por, sikur çdo tundim i ndaluar ajo bart kosto të madhe për vendin. Sikur tundimi i Gollumit mbi pushtetin e unazës, i cili në fund e dërgon në zjarrin e llavës, ashtu edhe tundimi i partive politike mbi pushtetin që vjen nga emocionet ekstreme të qytetarëve që e dërgon vendin në llavën e kaosit politik.