Molliqaj për tre ditë qëndroi në Hagë, vizitoi të gjithë ish-pjesëtarët e UÇK-së

Një grup anëtarësh të PSD-së kanë vizituar ish-krerët e ish-anëtarët e UÇK-së të burgosur në Hagë, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Sali Mustafën, Pjetër Shalen, Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin

Njoftimin e bëri publik kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili tha se udhëtimi në Hagë për ta ishte edhe udhëtim në kohë.

Kjo pasi, sipas tij, koha historike nuk e ndjek lëvizjen e njëtrajtshme e të kurdisur të akrepave.

“Përjetuam diçka që e kemi ditur si të kryer. Forcat që tërheqin nga mbrapa nuk e pranojnë ngadhënjimin e të vërtetës. Haga të dashur miq është Kosova alternative. Haga është Kosova që mund ta kishim pa UÇK-në. Të mbyllur me dyer hekuri”, shkroi Molliqaj.

Ai tha se i takuan të gjithë, Thaçin, Krasniqin, Veselin, Selimin, Mustafën, Shalen, Haradinajn dhe Gucatin – “Respektivisht, aty ishte politika e luftës; informimi e fjala e saj; zbulimi e guerilja; disiplina e mbikëqyrja”.

Molliqaj shtoi se bisedat mes tyre u endën, u përzien e u kryqëzuan, teksa theksoi se atje “po gjykohet UÇK-ja”.

“Disa prej tyre nuk i kishim njohur personalisht. Nga atje, Prishtina e vitit 2023 është shumë larg. Distanca është sidomos kohore. Aty jetohet në vitet 1997-1999. Aty gjykohet UÇK-ja, aty paguhet ende çmimi i lirisë. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara. Emri i UÇK-së nuk mund të jetë nën akuzë. Kosova duhet të bashkohet për drejtësi. Për juristët e ardhshëm, padrejtësia në Hagë do të bëhet shembull, ilustrim unik për shkeljen e të drejtave”, përfundoi kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj. /Klankosova.tv