Molliqaj i drejtohet Kurtit: Dorëhiqu dhe hajde e kundërshtojmë bashkë në shesh

Pak para se të nisë takimin me presidentin serb Aleksandër Vuciq, kryeministrit Albin Kurti i është bërë një kërkesë që të tërhiqet nga bisedimet dhe “të mos pranojë”.

Kërkesën ia ka bërë një prej ish-bashkëpunëtorëve më të afërt të Kurtit, Dardan Molliqaj, i cili prej 5 vitësh është kthyer në një prej kundërshtarëve më të mëdhenj të Kurtit.

Molliqaj, si kryetar i PSD-së, është kundër pranimit të një marrëveshjeje me Serbinë që përfshin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai e ka ftuar Kryeministrit që të dorëhiqet dhe ta kundërshtojë, si dikur, bashkë me të, formimin e Asociacionit.

“Kryeminister mos prano! Ka alternativë. Dorëhiqu dhe hajde e kundërshtojmë bashkë në shesh”, ka shkruar Molliqaj.

Kryeministri Kurti ka realizuar disa takime mëngjesin e sotëm në Ohër, para se të hynte në takim me ndërmjetësuesit evropianë dhe më pas edhe me presidentin serb.

Në Ohër pritet të diskutohet për Planin e Zbatimit, apo Aneksin e Propozimit Evropian, të cilin Kurti dhe Vuciq, tashmë e kanë pranuar. /Express/