Modernizimi i mbështetur mbi studimet tekniko-shkencore, jep rezultate të frytshme

Kina do të nxisë modernizimin e saj të mbështetur mbi studimet tekniko-shkencore, kështu deklaroi të hënën presidenti kinez XiJinping në Konferencën Kombëtare të Çmimeve të Shkencës dhe Teknologjisë.

Gjatë Konferencës, eksperti i informacionit gjeohapësinor Li Deren dhe studiuesi i fizikës së lëndës së kondensuar Xue Qikun fituan Çmimin e Spikatur Shtetëror të Shkencës dhe të Teknologjisë, nderimi më i lartë shkencor në Kinë për kontributet e tyre të jashtëzakonshme në risitë shkencore e teknologjike.

Li Deren është një ekspert me famë botërore në fushën e informacionit gjeohapësinor, me arritje të mëdha në inovacionin teorik, të integruar dhe të koordinuar të informacionit gjeohapësinor, duke dhënë një ndihmesë të madhe për ta bërë Kinën një nga tre vendet a rajonet kryesore në botë në këtë fushë.

Nën udhëheqjen e tij, ekipi që ai drejton zhvilloi një sistem matjeje plotësisht të automatizuar e me saktësi të lartë ajror dhe tokësor. Këto arritje e kanë çuar ndjeshëm përpara sistemin e vëzhgimit të tokës me qartësi të lartë.

Xue Qikun është një fizikan i njohur kinez që ka marrë Çmimin “Buckley” për kërkimet e tij të përparuara mbi izoluesit topologjikë dhe efektin kuantik jonormal “Hall”. Ekipi i tij zbuloi gjithashtu superpërcjellshmërinë në temperaturë të lartë të përforcuar nga ndërfaqja në sistemin heterostrukturor, që hapi një drejtim të ri kërkimesh në fushën e superpërcjellshmërisë në temperaturë të lartë.

Çmimet Shtetërore të Shkencës dhe të Teknologjisë të Kinës, çmimet më të larta shkencore të vendit për individët dhe organizatat që kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme në fushën e përparimit shkencor dhe teknologjik, u krijuan në vitin 2000.

Ato u jepen gjithashtu edhe ekspertëve të huaj që kanë kontribuar në përparimin e shkencës dhe teknologjisë në Kinë.

Në konferencën e së hënës, 49 arritje u nderuan me Çmimin Shtetëror të Shkencave të Natyrës. Dhjetëra projekte morën Çmimin Shtetëror të Shpikjeve Teknologjike, ndërsa më shumë se 100 projekte u nderuan me Çmimin Shtetëror të Përparimit Shkencor dhe Teknologjik.

Gjithsej 10 ekspertë të huaj fituan Çmimin Ndërkombëtar të Bashkëpunimit Shkencor dhe Teknologjik

Shpenzimet e Kinës për kërkim dhe zhvillim i tejkaluan 3.3 trilionë juanë (rreth 458.5 miliardë dollarë amerikanë) në vitin 2023, një rritje prej 8.1 për qind në baza vjetore. Me kushtimin e më shumë vëmendjeve dhe investimeve në kërkim dhe zhvillim, Kina po bën progres në fusha si fluturim me ekuipazh, kërkim hënor, eksplorim në thellësi oqeanike, superkompjuter, navigimsatelitor, teknologji kuantike, prodhim të avionëve të mëdhenj, bio-farmaci, energji të reja etj.