MJK-ja: Askush të mos nënvlerësojë vendosmërinë e Kinës për të mbrojtur sovranitetin

Askush nuk duhet të nënvlerësojë “vendosmërinë e madhe, vullnetin e patundur dhe aftësinë e fortë” të Kinës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin.

Ai i bëri këto komente në një konferencë të rregullt shtypi pasi presidenti amerikan Joe Biden tha në Tokio se ShBA-ja “do të mbronte ushtarakisht Tajvanin”.

Kina shpreh pakënaqësi të fortë dhe kundërshtim të vendosur ndaj deklaratave të Biden-it, u shpreh Wang, duke theksuar se rajoni i Tajvanit është një pjesë e patjetërsueshme e territorit kinez.

Zëdhënësi ritheksoi se çështja e Tajvanit është thjesht punë e brendshme e Kinës që nuk lejon asnjë ndërhyrje të huaj.

“Për çështjet që kanë të bëjnë me sovranitetin, integritetin territorial dhe interesat e tjera thelbësore të Kinës, askush të mos presë që Kina të bëjë ndonjë kompromis apo ujdi,” theksoi ai, duke paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të mos qëndrojnë në anën e kundërt të popullit 1.4-miliardësh kinez.

Zëdhënësi i diplomacisë kineze gjithashtu u kërkoi Shteteve të Bashkuara që të zbatojnë parimin e “Një Kine” dhe tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane, të mbajnë premtimin për të mos mbështetur “pavarësinë e Tajvanit” dhe të jenë të matura në fjalët dhe veprimet e tyre për çështjen e Tajvanit.

Uashingtoni duhet të shmangë dërgimin e sinjaleve të gabuara për forcat separatiste të “pavarësisë së Tajvanit”, që të mos dëmtojë seriozisht marrëdhëniet kino-amerikane dhe paqen e qëndrueshmërinë në të dy brigjet e ngushticës së Tajvanit, tha Wang, duke përmendur se pala kineze do të ndërmarrë veprime të vendosura për të mbrojtur sovranitetin dhe interesat e sigurisë të saj. (Artan)