Mjekët ukrainas në shënjestër të dronëve rusë

Vladyslav Dolynniy dhe ekipi i tij ishin brenda një qendre mjekësore në Bilenke, një fshat në pjesën e lumit Dnjepër që kontrollohet nga ukrainasit në jug të Zaporizhjës, kur dëgjuan një shpërthim.

Kur dolën jashtë gjetën një autoambulancë të parkuar aty pranë që ishte goditur nga një dron, dhe xhami i saj i pasmë ishte thyer dhe brenda kishte pësuar dëmtime.

Askush nuk u lëndua, por ishte një ngjarje e pakëndshme.

Sipas kreut të departamentit operativ në Qendrën rajonale për Kujdes të Shpejtë Mjekësor dhe për Mjekësinë e Katastrofave, Dolynniy, kjo ishte hera e parë që një autoambulancë në rajonin e Zaporizhjës u godit nga një dron i llojit FPV.

Për herë të parë në Zaporizhja, por jo në mbarë Ukrainën.

Makinat mjekësore dhe personeli janë goditur në disa rajone në vijën e frontit, nga Sumi në verilindje e deri në Herson në jug, ku autoritetet thonë se kanë qenë objekt sulmesh shumë herë që nga 26 shkurti i vitit 2022, dy ditë pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

Dhe, situata po përkeqësohet.

Teksa Rusia dislokon dronë më të avancuar dhe që është më vështirë të detektohen, ekipet mjekësore në vijën e frontit po e gjejnë gjithnjë e më shumë veten në rrezik. Autoambulancat dhe ekipet e emergjencës – të mbrojtura sipas ligjit ndërkombëtar – po bëhen cak në fushëbetejë nga ushtria ruse, sipas ushtarëve dhe personelit mjekësor ukrainas.

Personeli mjekësor, që operon pranë vijës së frontit, thotë se edhe autoambulancat më nuk mund të garantojnë mbrojtje.

“Ne kemi një makinë që shkon në fshatrat në vijën e frontit dhe është e pajisur me [pajisje për ndërprerjen e sinjaleve] dhe një sistem paralajmërimi që detekton frekuencat e dronëve FPV. Por, sot kjo më nuk është garanci sigurie sepse dronët me fibra optikë nuk transmetojnë sinjal dhe [pajisjet për ndërprerjen e sinjaleve] nuk funksionojnë kundër tyre”, tha për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Dolynniy.

“Kur shfaqen dronët që nuk operojnë me frekuenca të radios, por me fibra optike, nuk ka asnjë mbrojtje nga ta. Pikë së pari, nuk mund t’i lokalizosh”, tha Dolynniy.

Një problem tjetër, shtoi ai, është se “evakuimet po bëhen më larg nga zonat e luftës”.“Shumë më e vështirë”

Analisti ushtarak ukrainas, Serhiy Hrabskiy, shpjegoi se përdorimi në rritje i armëve me rreze të gjatë veprimi, përfshirë dronët me fibra optike që janë të aftë të godasin deri në 50 kilometra distancë, po i detyron mjekët që t’i çojnë ushtarët e plagosur më larg vijës së frontit, duke i lënë ekipet e shpëtimit dhe të shpëtuarit në rrezik për periudha më të gjata kohore.

“Një gjë është të qëndrosh në një zonë të rrezikshme për 10 minuta dhe tjetër gjë nëse duhet të qëndrosh për gjysmë ore. Kjo e bën punën e ekipeve mjekësore shumë më të vështirë”, tha Hrabskiy.

Ai po ashtu tha se zhvillimi i shpejtë i dronëve po krijon sfida për sistemet e detektimit: “Mund t’i përshtatësh pajisjet e tua të detektimit për një grup frekuencash, por çfarë ndodh kur droni fillon të përdorë një spektër? Duhet t’i riprogramosh vazhdimisht sistemet për t’i kapur dhe për të kuptuar se në çfarë frekuencash po operojnë”.

Në gusht të vitit 2024, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se kishte konfirmuar 1.940 sulme ndaj ndërtesave shëndetësore, makinave dhe punëtorëve shëndetësorë në Ukrainë që nga nisja e pushtimit. Ky është numri më i lartë i dokumentuar ndonjëherë në ndonjë emergjencë humanitare.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Ukrainës, të paktën 443 makina të emergjencave shëndetësore janë shkatërruar ose janë dëmtuar që nga nisja e pushtimit dhe të paktën 815 ndërtesa shëndetësore janë dëmtuar ose shkatërruar në mbarë vendin.

“Transporti mjekësor tani është shndërruar në një nga caqet kryesore për operatorët e dronëve sulmues rusë”, tha Oleksiy për Realitetet e Donbasit të Radios Evropa e Lirë, punëtor shëndetësor në Brigadën e 154-të Motorike për evakuim. Ai u prezantua vetëm me emër.

“Më herët, gjatë luftërave të kaluara, askush nuk e prekte kryqin e kuq. Mjekët e shënjonin veten me kryqe të kuqe dhe nuk shënjestroheshin”, tha ai. “Lufta aktuale nuk ka fytyrë njerëzore – rusët po shkatërrojnë kryqin e kuq”.

Sipas Konventës së Gjenevës, “njësitet mobile mjekësore, por edhe transportet e të plagosurve, të sëmurëve ose të pajisjeve mjekësore, nuk mund të sulmohen në asnjë rrethanë dhe gjithmonë duhet të respektohen dhe të mbrohen nga palët në konflikt”.

Ministria e Shëndetësisë tha se dëmet më të mëdha ndaj infrastrukturës shëndetësore janë në rajonet e Donjeckut, Harkivit, Hersonit, Zaporizhjës dhe Luhanskut – që të gjitha gjendet përgjatë vijës së frontit në luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945.

Një nga rajonet që shënjestrohet më së shpeshti është Hersoni, ku forcat ruse kërcënojnë ushtarët dhe civilët ukrainas nga territori i pushtuar përtej lumit Dnjepër. Më 17 nëntor, në një nga dy sulmet ndaj ekipeve mjekësore në Herson, një shofer i autoambulancës i moshës 64-vjeçare pësoi lëndime nga copëzat e predhave ndërkaq një punëtor shëndetësor 32 vjeç pësoi tronditje dhe lëndim në kokë.

“Duhet të dokumentohen”

Rusia pretendon se nuk shënjestron ndërtesa civile, pavarësisht dëshmive gjithnjë e më të shumta që tregojnë të kundërtën – përfshirë sulme të shumta vdekjeprurëse ndaj spitaleve, disa nga të cilat gjenden larg vijës së frontit.

Në korrik të vitit 2024, dy persona u vranë në spitalin më të madh të fëmijëve në Ukrainë, Ohmatdit në Kiev, si pjesë e një vale sulmesh që lanë të vrarë të paktën 43 persona brenda një dite.

Në nëntor të vitit 2022, një sulm me raketë ndaj repartit të lindjeve në Vilniansk, në rajonin e Zaporizhjës, vrau një fëmijë të porsalindur dhe plagosi nënën e tij dhe një mjek.

Dokumentimi i sulmeve ndaj personelit mjekësor, automjeteve dhe objekteve shëndetësore është pjesë thelbësore e përpjekjeve të ardhshme kombëtare dhe ndërkombëtare për llogaridhënie, tha Dmytro Hladkiy, një avokat ukrainas që ka dokumentuar raste të tilla në Zaporizhja që nga viti 2022.

“Duhet të dokumentohen, në mënyrë që pas shumë vitesh askush të mos mund të thotë se ‘nuk ka ndodhur asgjë’ apo se ‘nuk ka prova të mjaftueshme’”, tha Hladkiy për Shërbimin ukrainas të REL-it.

Në total, hetuesit ukrainas dhe ndërkombëtarë kanë hapur më shumë se 150.000 raste për krime lufte dhe mizori të pretenduara ruse, një numër që vazhdon të rritet ndërsa regjistrohen sulme të reja./REL