Sot pritet të përfundojë rinumërimi i votave në Mitrovicë, kjo pasi Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar të martën Komisionin Komunal Zgjedhor të rifillojë numërimin e votave të balotazhit të 9 nëntorit në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën, proces që ishte ndërprerë një ditë më parë pas raportimeve për parregullsi.
Sipas Prokurorisë, vendimi u mor pasi kompania sllovene CETIS, përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, mori përgjegjësinë për një gabim teknik gjatë printimit. Kompania sqaroi se problemi kishte ndodhur “ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë”, që shtypin numrin e qendrës së votimit.
Në deklaratën e saj, CETIS theksoi se “merr përgjegjësi të plotë për gabimin”, duke shtuar se në rrethana normale një situatë e tillë “do të ishte pothuajse e pamundur të ndodhte”.
Prokuroria ka caktuar dy policë hetues për të vëzhguar nga afër procesin e rinumërimit, “me qëllim të ruajtjes së integritetit të numërimit të fletëvotimeve”.
Ndërkohë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë për median vendore se rinumërimi rifilloi në orën 16:00 të ditës së martë.
Në të njëjtën kohë, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) njoftoi se ka zhvilluar një hetim lidhur me pretendimet se disa zyrtarë policorë kishin ndërmarrë veprime hetimore në Qendrën Komunale të Numërimit pa autorizimin e prokurorit përgjegjës.
Sipas gjetjeve fillestare të IPK-së, zyrtarët që kanë reaguar dhe kanë hyrë në qendër “kanë shpërfillur disa nga procedurat e parapara me planin operativ të policisë për këtë proces zgjedhor”.
Institucioni shtoi se do të ndërmarrë “veprime të tjera në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit” dhe se do të konsultohet me KQZ-në “për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit”.
Fillimisht, Prokuroria kishte urdhëruar ndaljen e numërimit të votave të balotazhit për Mitrovicën e Jugut pas raportimeve për parregullsi.
Më vonë, KQZ-ja sqaroi se bëhej fjalë për një gabim teknik të shkaktuar nga kompania CETIS, e cila kishte shtypur gabimisht kodin e vendvotimit në disa fletëvotime të Mitrovicës së Jugut dhe të Gjakovës.
Në sqarimin e mëvonshëm për KQZ-në, CETIS njoftoi se gjatë hetimit të brendshëm ishte kuptuar që problemi kishte ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit, përgjegjëse për shtypjen e numrit të vendvotimit.
Sistemi i kontrollit, sipas kompanisë, monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), prandaj gabimi nuk ishte zbuluar gjatë shtypjes.
Në përgjigjen e saj, CETIS theksoi se merr plotësisht përgjegjësinë për gabimin teknik dhe se fletëvotimet përmbajnë “elemente të shumta sigurie” që e bëjnë të pamundur falsifikimin apo kopjimin e tyre.
Kompania gjithashtu shprehu keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmoi se do të mbetet në bashkëpunim të plotë me KQZ-në për çdo hetim apo verifikim të nevojshëm.
KQZ-ja njoftoi se e ka informuar Prokurorinë e Shtetit për përgjigjen e kompanisë dhe për hapat e ndërmarrë në vijim.
Në anën tjetër, ka pasur reagime edhe nga partia fituese në Mitrovicë, Lëvizja Vetëvendosje, por edhe nga partia humbëse, e cila ka kërkuar rivotim.
Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se integriteti i procesit zgjedhor në Mitrovicë është cenuar rëndë, duke kërkuar që në këtë komunë të zhvillohet rivotim i menjëhershëm. Në një konferencë për media, Gruda tha se gjatë procesit zgjedhor janë vërejtur shkelje të ligjit dhe standardeve ndërkombëtare që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Sipas tij, në disa qendra të mëdha votimi janë evidentuar parregullsi serioze, të cilat e bëjnë të domosdoshme përsëritjen e votimit.
“Nuk është çështja nëse besojmë ne ose jo që ka qenë gabim teknik. Edhe me supozimin se ka qenë gabim teknik, kjo e dëmton procesin dhe procesi duhet të shkojë në rivotim. Nuk mund të thuash ka ndodhur një gabim teknik dhe do ta sanojmë atë. Kjo është sikur të shtypësh fletëvotime e të harrosh të shkruash PDK”, tha Gruda.
Çfarë pritet të ndodhë me procesin në Mitrovicë dhe a ekziston rreziku që procesi të manipulohet apo të përdoret politikisht nga palët e përfshira për të sfiduar rezultatin?
Juristët i kanë thënë gazetës “Bota sot”, se duhet shikuar dëmi dhe se Çdo pretendim për manipulim apo parregullsi, i cili nuk mbështetet në prova konkrete, përbën jo vetëm një përpjekje për të hedhur hije mbi rezultatin e zgjedhjeve.
Pesha e dëmtimit
Juristi, Blerim Burjani, thotë se nëse dëmi ka ndikuar në mënyrë thelbësore në rezultatin përfundimtar, atëherë duhet të shkohet në rivotim.
Por, sipas tij, nëse nuk konstatohet një dëm që ka ndikuar në mënyrë thelbësore në rezultat, atëherë procesi mund të vazhdojë si i rregullt.
“Procesi është nën dyshime. Siç dihet, problemi qëndron te fletëvotimet, prandaj duhet të verifikohet nëse procesi është dëmtuar në masë të madhe. Nëse konstatohet se dëmi ka ndikuar në mënyrë thelbësore në rezultatin përfundimtar, atëherë duhet të shkohet në rivotim. Nëse, përkundrazi, nuk konstatohet një dëm që ka ndikuar në mënyrë thelbësore në rezultat, atëherë procesi mund të vazhdojë si i rregullt. Megjithatë, mendoj se fillimisht duhet të rinumërohen të gjitha votat për të hetuar tërësisht procesin. Nëse pas këtij rinumërimi konstatohet se dëmi është i pashmangshëm dhe ka ndikuar në rezultatin përfundimtar, atëherë rivotimi është i domosdoshëm”, ka thënë Burjani.
Në anën tjetër, Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar mundësitë se mund të ketë parregullsi në procesin zgjedhor në Mitrovicë, duke thënë se ky qytet sipas saj ka ‘’folur qartë dhe pastër’’.
Në reagimin e saj, deputetja Haxhiu, ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës, duke deklaruar se kjo e fundit po mundet që ta marrë ‘’rezultatin në tavolinë’’.
‘’Vetë e ngritën vorbullën në Mitrovicë duke dashur të sulmojnë njëkohësisht edhe Mitrovicën edhe Albin Kurtin për t’i akuzuar më pas se Mitrovica nuk i vlerëson dhe se nuk është bërë asgjë për të.
Por vorbulla u kthye në bumerang. Rezultati u dëshmua qartë dy herë, më 12 tetor dhe më 9 nëntor.
Dhe kur dështimi është kaq flagrant, natyrshëm kombinimi i dështimit të PDK-së dhe disa hibridëve del sërish në skenë. Tani, meqë nuk arritën të fitojnë as në terren e as përmes studiove televizive, duan ta marrin rezultatin në tavolinë.
Por Mitrovica ka folur qartë dhe pastër, aq shumë, sa asnjë insinuatë nuk mund t’u bëjë më punë’’, ka shkruar ajo.
Pretendime pa prova, përpjekje për hije në rezultat
Kurse, juristi Gazmend Halilaj, thotë se sipas gjitha informacioneve është gabim Teknik dhe jo parregullësi.
“Si jurist dhe qytetar që beson në drejtësi dhe integritet institucional, dua të theksoj se ndërprerja e procesit të numërimit të votave në Mitrovicë, sipas të gjitha informacioneve zyrtare, ka qenë rezultat i një gabimi teknik dhe jo i ndonjë parregullsie që do të cenonte vullnetin e qytetarëve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vepruar në përputhje me kompetencat e tij ligjore, duke kërkuar transparencë të plotë dhe përfshirje të Prokurorisë së Shtetit — një hap që forcon besimin në proces, e jo e minon atë”, deklaron Halilaj.
Sipas tij, deri më tani nuk ka asnjë element që ka shkelje të dokumentuar dhe se rifillimi është i panevojshëm.
Çdo përpjekje për të zvarritur apo kontestuar rezultatin në Mitrovicë, sipas Halilajt, është përpjekje për të frenuar vullnetin e qytetarëve.
“Çdo pretendim për manipulim apo parregullsi, i cili nuk mbështetet në prova konkrete, përbën jo vetëm një përpjekje për të hedhur hije mbi rezultatin e zgjedhjeve, por edhe një tentim për ta relativizuar fitoren e merituar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit të saj, z. Faton Peci. Procesi ligjor është i qartë: rivotim mund të ketë vetëm në rast se konstatohet shkelje e dokumentuar, por deri më tani nuk ka asnjë element që e justifikon një rifillim të tillë. Kjo do të ishte jo vetëm e panevojshme, por edhe një precedent i rrezikshëm për sistemin tonë demokratik. Besoj se qytetarët e Mitrovicës e kanë shprehur qartë vullnetin e tyre për ndryshim, për transparencë dhe për qeverisje të ndershme — vlera të cilat mishërohen më së miri në programin dhe në filozofinë politike të Lëvizjes Vetëvendosje. Çdo përpjekje për të zvarritur apo kontestuar këtë rezultat, është në thelb përpjekje për të frenuar vullnetin e qytetarëve”, përfundon juristi.




