Misioni i OSBE-së në Shkup mbështet Agjencinë Informative Mediatike (MIA)

SHKUP, 3 mars 2023 — Për të inkurajuar gazetarinë e pavarur në Maqedoninë e Veriut,
Misioni i OSBE-së në Shkup ka nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me Agjencinë
Informative Mediatike (MIA), një ndërmarrje publike shtetërore dhe agjencia më e madhe e
lajmeve në vend.

“Media e lirë dhe e pavarur është jetike për një demokraci funksionale dhe të shëndetshme,”
deklaroi Kilian Wahl, Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup. “Gazetarët janë të
domosdoshëm në ofrimin e një raportimi neutral dhe të paanshëm që është aktual, me fakte
të kontrolluara, në kohë dhe i saktë. Ne kemi nevojë për këtë më shumë se kurrë në një botë
që dominohet gjithnjë e më shumë nga lajmet e rreme dhe dezinformatat.”

Mbështetja e Misionit ka për qëllim forcimin e kapaciteteve të MIA-s duke përmirësuar
pavarësinë e saj funksionale dhe duke siguruar që ajo të ketë burime të mjaftueshme, në
mënyrë që qytetarët e Maqedonisë së Veriut të vazhdojnë t'i marrin lajmet në mënyrë
neutrale dhe të paanshme. Kjo nga ana tjetër do të përmirësojë qëndrueshmërinë afatgjate
të Agjencisë.

“MIA njihet për besueshmërinë e saj dhe si shtyllë e informacionit të verifikuar dhe të saktë.
Misioni i OSBE-së tashmë na ka ndihmuar në zhvillimin e raportimit multimedial, i cili na ka
afruar me shfrytëzuesit tanë të shërbimeve”, deklaroi Dragan Antonovski, drejtor i MIA-s. “Ne
e vlerësojmë mbështetjen e Misionit për të na ndihmuar të qëndrojmë në atë rrugë. Për ta
bërë këtë, ne kemi nevojë për pavarësi financiare, parashikueshmëri dhe qëndrueshmëri
profesionale.”