Qeveria sot miratoi propozimin për shkarkimin e kryeprokurorit Ljupço Kocevskit, me çka procedura e cila ishte pezulluar gjatë periudhës zgjedhore, vazhdon sipas procedurave ligjore. Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, në konferencën për shtyp informoi se arsyet për këtë vendim janë tashmë publikisht të njohura dhe janë shpjeguar më parë.
“Gjatë një seance qeveritare u miratua propozimi për shkarkimin e Ljupço Kocevski, me çka e vazhdojmë procedurën që sipas kufizimeve ligjore ishte ndërprerë përkohësisht gjatë periudhës zgjedhore”, tha Miteva.
Ajo shtoi se ky vendim vjen për shkak të gabimeve të mëdha profesionale në drejtimin e Prokurorisë Publike, që kanë sjellë shkelje të efikasitetit dhe funksionimit të Prokurorisë.
“Shpërndarja e paautorizuar e informacionit dhe të dhënave për raste gjyqësore, me çka është shkelur detyrimi për mbrojtjen e sekretit të procedurës sipas ligjit. Shkelje e reputacionit të Prokurorisë Publike dhe e reputacionit personal të tij, për shkak të mosveprimit sipas detyrimeve të parashikuara në Kushtetutë, ligje dhe traktate ndërkombëtare të ratifikuara sipas Kushtetutës”, deklaroi Miteva.
Qeveria njofton se pas miratimit të propozimit do të ndiqen hapat institucionalë të mëtejshëm për finalizimin e procedurës.




