Miratohet Ligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Kuvendi i Kosovës, me 66 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, e ka miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Po ashtu, në seancën e sotme plenare deri më tani është votuar edhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe zhvendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.

Në lidhje me këtë projektligj, 61 vota ishin pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ku rrjedhimisht u ngarkuan komisioni i përhershëm dhe ata funksionalë që ta trajtojnë këtë projektligj dhe ta sjellin atë në lexim të dytë.

Më poshtë mund t’i gjeni edhe projektligjin dhe raportet që u votuan dhe nuk kaluan sot në kuvend:

Kuvendi me 60 vota për e dy kundër e miratoi raportin vjetor të autoritetit rregullator të komunikimeve elektronike dhe postare për vitin 2021.

Në seancën e sotme, me 61 vota për e një abstenim, kuvendi miratoi raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për mbikëqyrje elektronike të personave që iu kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës.

Po ashtu, me 60 vota për e asnjë kundër, kuvendi e miratoi raportin bashkë me rekomandimet për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për Noterinë.

Me 64 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim, kuvendi miratoi rekomandimet e komisionit funksional për mbikëqyrjen e financave publike në lidhje me raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të UP-së për vitin 2021.

Ndërsa, në seancën e sotme, kuvendi me 59 vota kundër, dy për e një abstenim nuk e miratoi raportin e përformancës së ndërmarrjeve publike qendrore për vitin 2020.

Kurse, me 62 vota për kuvendi e miratoi në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Energjinë, ndërsa kërkohet nga komisioni funksional dhe komisionet e përhershme që ta trajtojnë këtë ligj dhe ta sjellin në lexim të dytë.