Miratohen ligjet për uljen e rrogave të deputetëve dhe funksionarëve në Maqedoni: Mbi 200€ më pak

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mbrëmë në kuadër të seancës së 89-të, pa debat miratoi paketën e ligjeve me të cilat nivelohet paga e personave të zgjedhur dhe të emëruar. Me këto ligje parashihet ulje e pagave deri në 13.000 denarë apo mbi 200 €, përcjell INA.

Deputetët votuan ndryshimet në Ligjin për deputetët, Ligjin për paga dhe kompensime të tjera për persona të zgjedhur dhe të emëruar, Ligjin për pagat e prokurorëve publikë, Ligjin për pagat e gjyqtarëve, Ligjin për pagat e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë dhe Ligjin për pagat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas shpjegimit të mëhershëm të njërit prej propozuesve të ndryshimeve ligjore, deputetit të VMRO-DPMNE, Bojan Stojanoski, me këto ligje vendosen nivele reale të pagave.

Ai sqaroi se me këto zgjidhje ndërhyhet në koeficientët e pagave dhe se zgjidhja ligjore është në përputhje me Kushtetutën dhe nuk mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese.(INA)