Ministrja Haxhiu thirrje policisë dhe prokurorisë: Provat janë, të zbardhet rasti i Astrit Deharit

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga policia dhe prokuroria që ta zbardhin rastin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari në Burgun e Prizrenit shtatë vjet më parë.

“Ministria e Drejtësisë ka bërë gjithçka që lejojnë kompetencat e saj. I mbetet institucioneve të drejtësisë të veprojnë dhe të sjellin rezultate ndaj këtij krimi ende të errësuar.Drejtësia për Astritin duhet të ndodhë! Ajo nuk mund të vonohet më gjatë”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se Dehari u vra në rrethana të sqaruara nga ekspertë të mjekësisë ligjore dhe Raporti i Institutit Zviceran nga Lozana, por të pa sqaruara nga aturoitetet e drejtësisë, transmeton Klankosova.tv.

“Siҫ dihet, një sërë anomalish institucionale vërehen menjëherë pas gjetjes së trupit të Astrit Deharit, që nga vonesa e ndihmës mjekësore, tek nxitimi i deklarimeve të Kryepolicit të rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, e po ashtu Kryeprokurorit i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha. Njëri konstatonte se Astriti vdiq nga mbi doza e medikamenteve, kurse tjetri e cilësoi si vetëvrasje ende pa nisur asnjë hetim”, theksoi ajo.