Ministrja e Financave për buxhetin e vitit 2020: Po investojmë në kapital njerëzor

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka filluar sot seancën plenare në të cilën deputetët do të diskutojnë për buxhetin e vitit të ardhshëm, raporton SHENJA.

Në ditën e parë të seancës, debati ka filluar me kritika nga ana e opozitës. VMRO ka drejtuar kritika në lidhje me kopertinën e propozim buxhetit, për të cilën tha se ngjan në pamfletë politike, pasi sipas tyre, përmban porosi populiste dhe politike. Deputeti Nikolla Micevski i ka bërë thirrje qeverisë që të mos tallet me deputetët, duke dërguar porosi të tilla politike përmes propozim buxhetit.

Ndërkohë, ministrja e Financave, Nina Angelovska, në sqarimin e propozim buxhetit të vitit të ardhshëm, tha se fokusi është vendosur në kapitalin njerëzor dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në vend.

“Investojmë në kapitalin njerëzor është motoja e propozim buxhetit, sepse gjithçka varet nga njerëzit. Propozim buxheti 2020 është i orientuar në arsim më të mirë, kujdes social dhe në përgjithësi jetë më të mirë. Duam të sigurojmë kujdes për të gjitha gjeneratat, duke filluar nga ato më të rejat”, ka deklaruar ajo.

Ministrja theksoi se në vitin 2020 parashihet që të ketë shpenzime prej 3,9 miliardë euro, ndërsa 3,6 miliardë pritet të jetë fitimi. Sipas saj rritja e BPV do të jetë 3,8%./SHENJA/