Ministria e Shëndetësisë e ka përzgjedhur ofertën e kompanisë “Automotive Group” si më të favorshmen në tenderin publik për furnizimin me 100 autoambulanca. Sipas sistemit të Byrosë për Furnizime Publike, vendimi është marrë më 16 qershor të këtij viti, transmeton Portalb.mk.
Në këtë fazë, vendimet nuk përmbajnë detaje të tjera. Megjithatë, pasi mediumi “360 Gradë” ishte i pranishëm në hapjen publike të ofertave, dihet se “Automotive Group” ka ofruar çmim prej 390.595.000 denarësh, që do të thotë 6.351.138 denarë për automjet, ose rreth 63.511 euro.
Përveç “Automotive Group”, kompani në pronësi të familjes Kalenikov dhe importues afatgjatë i markave Renault, Nissan dhe Dacia, ofertuesi i vetëm tjetër ishte Punishtja zejtare elektromekanike “A.C.E. Cvetko Gogovski”. Nga oferta e tyre nuk ishte plotësisht e qartë sa ishte çmimi për një automjet, pasi në rubrikën për ofertën totale kishin shënuar një shumë jashtëzakonisht të ulët prej 4.451.700 denarësh, ose 72.385 euro. Sipas profileve të tyre në rrjetet sociale, kjo punishte nuk importon automjete, por merret me përshtatjen e automjeteve speciale, përfshirë edhe autoambulancat.
Megjithatë, përzgjedhja e ofertës më të favorshme nuk do të thotë se kontrata do të nënshkruhet menjëherë. Aktualisht po rrjedh afati për paraqitjen e ankesave në Komisionin Shtetëror për Ankesa në Furnizimet Publike.
Importuesi i markave Peugeot dhe Opel, kompania Euroimpex, kishte paraqitur ankesë edhe para skadimit të afatit për dorëzimin e ofertave, por më 8 qershor e ka tërhequr atë. Ndërkohë, ankesë pas përzgjedhjes së ofertës më të favorshme ka paralajmëruar edhe dega vendore e kompanisë bullgare Exelor, e cila ka përvojë në modifikimin dhe pajisjen e automjeteve speciale.
Kompanitë që publikisht kanë shprehur vërejtjet e tyre pretendojnë se kushtet e tenderit janë hartuar në mënyrë që të kufizojnë konkurrencën. Konkretisht, kufizimi i madhësisë maksimale të motorit në 2.000 centimetra kubikë ka përjashtuar nga gara shumicën e importuesve të automjeteve komerciale në vend.
Gjithashtu, në pajisjet mjekësore kërkohet një defibrilator portativ, bateria e të cilit nuk duhet të peshojë më shumë se 0,5 kilogramë. Sipas një prej kompanive të interesuara, në vend është i regjistruar vetëm një produkt i tillë në MALMED (regjistrimi është kusht i tenderit), ndërsa kompania që e importon atë nuk u është përgjigjur kërkesave për ofertë.





