Ministria e Financave me transferim të ri të parave: 2.9 milionë euro përmes Bankës Zhvillimore te kompanitë

Ministria e Financave ka transferuar një shumë të re në vlerën prej 176.5 milionë denarësh ose 2.9 milionë euro, nga buxheti qendror drejt Bankës Zhvillimore, për mbështetjen e projekteve investuese në kompanitë vendase, përcjell TV21. Me këtë transferim, siç bëjnë të ditur nga Ministria, mbështetja totale e Qeverisë për kompanitë vendase ka arritur në 14.7 miliardë denarë ose 239 milionë euro. -Kjo është një nxitje e konsiderueshme për realizimin e investimeve private dhe një shtysë për ekonominë. Në Buxhet për këtë qëllim janë planifikuar gjithsej 250 milionë euro.

Mjetet e siguruara në Buxhet, të cilat plasohen përmes Bankës Zhvillimore dhe rrjetit të bankave vendase tregtare te përfituesit përfundimtarë – kompanitë vendase, Qeveria i ka siguruar nga Banka Hungareze e Eksport-Importit, me qëllim që të nxisë ciklin e investimeve në sektorin privat, thonë nga Ministria e Financave.