Ministria e Drejtësisë nuk ‘dorëzohet’: S’ka provim të jurisprudencës në shqip, në protestë nuk pati simbole shtetërore

Ministria e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut ka dalë menjëherë me reagim pas protestët të sotme të studentëve ku kërkuan që provimi i jurosprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, ministria vazhdon të insistojë se provimi nuk mund të jepet në gjuhën shqipe, konstatoi politizim të protestës ndërsa theksoi se në protestë nuk pati simbole shtetërore, raporton Portalb.mk.

Në një reagim nga ky institucion thonë se e respektojnë të drejtën e protestës, por konstatojnë se protesta e sotme tregoi përpjekje për manipulim me qytetarët nga ana e strukturave politike që për më shumë se dy dekada kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në krijimin e gjendjeve të këqija në sistemin gjyqësor.

“Në këtë kontekst, është evidente edhe mungesa e përdorimit të simboleve shtetërore në protestën e sotme, gjë që shton dyshimet për kapacitetin demokratik të organizatorëve dhe raportin e tyre ndaj shtetit dhe rendit kushtetues”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Sa i përket kërkesave lidhur me dhënien e provimit të jurisprudencës, Ministria e Drejtësisë edhe një herë theksoi se “bëhet fjalë për një provim profesional që nuk përbën procedurë administrative, por një mekanizëm për sigurimin e cilësisë dhe profesionalizmit në sistemin gjyqësor”.

“Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog konstruktiv me të gjitha palët e interesuara dhe i shqyrton me kujdes të gjitha iniciativat dhe propozimet, ekskluzivisht brenda kompetencave ligjore. Prioriteti ynë mbetet forcimi i rendit juridik dhe vendosja e një sistemi të drejtë, transparent dhe cilësor të vlerësimit profesional, i liruar nga ndikimet politike. Nuk do të lejojmë asnjë keqpërdorim të Kushtetutës dhe ligjeve”, thanë nga Ministria e Drejtësisë.

Mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë sot protestuan në Shkup duke kërkuar që të respektohet Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, në mënyrë që të mund ta japin provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase. Ata kërkuan drejtësi për studentët dhe dorëheqje të ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov i cili ua mohon të drejtën e garantuar me ligj. Përmes një reagimi pas protestës, Ministria e Drejtësisë vazhdon të insistojë se provimi nuk mund të jepet në gjuhën shqipe.

Marshi filloi protestues filloi para Urës së Gurit dhe mbaroi para Ministrisë së Drejtësisë, aty ku studentët kërkuan dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov.

“Dorëheqje”, “Respekto Ligjin për gjuhët”, “Stop diskriminimit institucional”, “Mos mohoni një të drejtë të fituar”, “Kur ligji hesht, ne flasim”, “Error 404”, “Ligji për gjuhët është i qartë”. Këto ishin vetëm disa nga pankartat të cilat i mbanin studentët dhe pjesëmarrësit në protestë.

Ata thonë se kjo nuk është vetëm ‘lufta’ e tyre, por është ‘luftë’ për mbrojtjen e gjuhës.