Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajlovski, ka vlerësuar se partneriteti strategjik dhe bashkëpunimi bilateral në fushën e mbrojtjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së është në nivelin e lartë. Ai paralajmëroi vazhdimin e këtij bashkëpunimi, transmeton Portalb.mk.
“Partneriteti strategjik dhe bashkëpunimi dypalësh në fushën e mbrojtjes janë në një nivel jashtëzakonisht të lartë. Në takim u theksua vendosmëria e përbashkët për të thelluar më tej bashkëpunimin, me qëllim forcimin e sigurisë rajonale dhe globale”, raportoi Ministria e Mbrojtjes.
Misajllovski ka zhvilluar takime të ndryshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u takua edhe me ndihmës sekretarin për çështjen e sigurisë ndërkombëtare në SHBA, Daniel Zimmerman. Në kuadër të këtyre vizitave, ai u takua edhe me drejtorin e Agjencisë për bashkëpunim në siguri në SHBA, Majk Miler.
“Ministri shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA-ja, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme në procesin e modernizimit të Ushtrisë Maqedonase dhe zhvillimin e ndërveprimit me aleatët e NATO-s”, raportoi Ministria e Mbrojtjes.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut sivjet mbushi plot 6 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.
Që nga ardhja në pushtet e Donald Trump, marrëdhëniet brenda NATO janë përballur me sfida dhe tensione të reja, duke përfshirë kritikat e vazhdueshme ndaj aleatëve për shpenzimet e mbrojtjes dhe dyshimet mbi angazhimin e SHBA-së ndaj mbrojtjes kolektive. Këto tensione u thelluan sidomos gjatë krizës me Irani, ku Trump kritikoi ashpër vendet anëtare për mungesë mbështetjeje dhe paralajmëroi për pasoja serioze nëse aleatët nuk përfshihen në operacionet ushtarake, duke e vënë në pikëpyetje edhe të ardhmen e Aleancës. Megjithatë, pavarësisht këtyre krizave dhe përplasjeve transatlantike, procesi i zgjerimit të NATO-s vazhdoi, duke kulmuar me anëtarësimin e Maqedonia e Veriut në vitin 2020 si një dëshmi e vazhdimësisë së politikës së dyerve të hapura.





