Ministri izraelit: Ushtria e Izraelit do të qëndrojë në Gaza për shumë vjet

Ushtria izraelite do të qëndrojë në Gaza për shumë vjet, duke luftuar kundër rekrutëve të Hamasit në territor dhe mund të jetë përgjegjëse për dërgimin e ndihmës humanitare atje, ka thënë ministri për Sigurinë Ushqimore, Avi Dichter.

Komentet e tij konfirmojnë dislokimin afatgjatë të trupave izraelitë brenda Gazës, pa plan për fillimin e rindërtimit atje.

“Mendoj se do të qëndrojmë në Gaza për kohë të gjatë. Mendoj se shumica e njerëzve e kuptojnë se Izraeli do të jetë për vite në situatën në Bregun Perëndimor, ku hyn e del dhe ndoshta qëndron përgjatë korridorit Netzarim”, ka thënë ai.

Rezervistët që kanë shërbyer së fundmi në Gaza i kanë përshkruar medias britanike “The Guardian” shkallën e infrastrukturës së re ushtarake të ndërtuar në territor nga Izraeli. Ajo përfshin kampe dhe rrugë të reja nëpër një pjesë të Gazës veriore dhe qendrore.

Një prej tyre ka thënë se kishte kaluar 70 ditë në rrënimin e shtëpive për të liruar më shumë hapësirë që do të shndërrohej në baza të mëdha ushtarake në Netzarim, Gaza.

“Ky ishte misioni i vetëm. Nuk kishte mbetur asnjë ndërtim më i gjatë se te beli im, përveç bazave dhe kullave tona të vëzhgimit”, ka thënë ai.