Ministri i BDI-së, Jeton Shaqiri: Administratorët e tepërt do të kalojnë në sektorin privat

Ministri i Shoqërisë informative dhe administratës publike, Jeton Shaqiri, ka konfirmuar sot zvoglimin e numrit të të punësuarve në administratën publike. Përveç pensionimit në moshën 64 vjeçare siç pati rekomandiar kryeministri Zoran Zaev në letrën mandatuese, Shaqiri tha se një pjesë e të punësuarve nga institucionet ku teprojnë, do të transferohen në sektorin privat, përmes pakove që do ti ofrojë kjo ministri.

Jeton Shaqiri, ministër i administratës publike

“Pasi të kryhet bashkimi i funksioneve dhe kompetencave të institucioneve, duke patur parasysh se tek një numër i konsiderueshëm i institucioneve është detektuar bashkim i kompetencave, vëllimi i të punësuarve në mënyrë të pashmangshme do të reduktohet. Si opsion të hapur për reduktimin e numrit të të punësuarve në sektorin publik janë paketat për kalim në sektorin privat. Transferimi i të punësuarve nga sektori publik në sektorin privat është një pjesë e vendosjes së riorganizimit në mënyrë profesionale”

Ai këto paralajmërime i dha gjatë një konference për media ku prezentoi planet për punën e tij në mandatin e rij në krye të kësaj ministrie. Shaqiri tha se do të vazhdojë me procesin e digjitalizimit dhe zbatimit të reformave kryesore të administratës publike në mënyrë që ta përgatisim për hyrjen në postin administrativ evropian që të sigurohen shërbime më të mira dhe më efikase për qytetarët dhe biznesin. Ai tha që do të vazhdojë zbatimi i strategjisë aktuale për reformën e administratës publike dhe informoi se tashmë po bëhen përgatitjet për një strategji të re.

Jeton Shaqiri, ministër i administratës publike

“Do të eliminohet mbivendosja e kompetencave ndërmjet institucioneve. Do të ketë një plan të qartë për bashkimin dhe shfuqizimin e institucioneve ekzistuese ose për institucionet e reja të nevojshme në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE. Duke pasur parasysh faktin se në shumë institucione është zbuluar një mbivendosje e kompetencave, numri i të punësuarve në sektorin publik do të ulet. Si një opsion i hapur për zvogëlimin e numrit të të punësuarve në sektorin publik janë paketat e transferimit në sektorin privat”

Shaqiri tha se do të gjendet zgjidhje edhe për sistemimin e 1.300 administratorëve të cilët janë pranuar në konkurset që hapeshin në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit, por që deri më tani kanë qëndruar në shtëpi.