Hoxha bisedon me ministrin e Emirateve, produktet bujqësore nga Maqedonia së shpejti në tregjet e Dubait

Përmes WeBex ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së ujrave, Arjanit Hoxha ka zhvilluar një takim me Ahmed Al-Sayegh, Ministrër Shtetëror i diplomacisë Ekonomike nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm politik në mes dy vendeve mike dhe potencialin e madh për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, me theks të veçantë në prodhimin e ushqimit dhe promovimin e tregtisë së produkteve agro-ushqimore.

Hoxha përmes llogarisë së tij në facebook ka bërë të ditur se ka prezantuar avantazhet krahasuese për prodhimin bujqësor të vendit tonë dhe mundësitë e ofruara për kompanitë e interesuara të Emirateve të Bashkuara Arabe që janë të pranishme në Evropë dhe tregjet rajonale.

Ministri Al-Sayegh ka shprehur interes të madh për kulturën dhe traditën tonë dhe veçanërisht për produktet bujqësore të Maqedonisë së Veriut, me një cilësi të njohur.

Në takim ministri Hoxha dhe ministri Al-Sayegh u dakorduan për një kornizë për bashkëpunim, mbi të cilën do të punojnë ekipet teknike nga të dy vendet, me mbështetjen e ambasadorit të RMV në Emiratet e Bashkuara Arabe Abdulkadar Memedi, duke marrë parasysh strategjinë e sigurisë ushqimore të Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila është një nga tregjet më të rëndësishme në Lindjen e Mesme për shitjen e produkteve bujqësore nga Republika e Maqedonisë së Veriut.