Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, zhvilloi një takim pune me drejtorin e Zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shkup, z. Fatih Türkmenoğlu, ku u shqyrtuan projektet aktuale dhe të ardhshme në fushën e menaxhimit të mbetjeve dhe infrastrukturës ujore.
Në takim u vu theksi te Projekti Rajonal për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta, i cili realizohet me mbështetje financiare nga BERZH, si dhe te projekti për ndërtimin e Stacionit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura për qytetin e Shkupit, një nga projektet më të rëndësishme të infrastrukturës mjedisore në vend.
Ministri Hoxha theksoi rëndësinë e partneritetit me BERZH-in, duke vlerësuar se mbështetja e Bankës ka një rol kyç në vendosjen e sistemeve rajonale për menaxhimin e mbetjeve, përmirësimin e cilësisë së mjedisit jetësor dhe harmonizimin me standardet evropiane.
Në kuadër të takimit u shqyrtuan gjithashtu aktivitetet në vijim, dinamika e zbatimit, si dhe çështjet e hapura që lidhen me ndërhyrjet infrastrukturore, me ç’rast u shpreh gatishmëri e përbashkët për tejkalimin e tyre në kohë.
Të dyja palët konfirmuan angazhimin për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit, me fokus në investime të qëndrueshme, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe mbështetjen e tranzicionit të gjelbër të Maqedonisë së Veriut.





