Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, zhvilloi sot një takim me kryetarin e Komunës së Strugës, Mendi Qyra, për të diskutuar projektet që po realizohen në komunë dhe ndikimin e tyre në jetën e qytetarëve.
“Sigurimi i shërbimeve moderne dhe mbrojtja e mjedisit përbëjnë një qëllim dhe një detyrim ndaj qytetarëve dhe qyteteve tona”, tha ministri Hoxha gjatë takimit. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me komunat për zgjidhje praktike dhe afatgjata që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve dhe e bëjnë vendin një shembull të zhvillimit të qëndrueshëm.
Një pjesë e madhe e projekteve të diskutuar lidhen me infrastrukturën nëntokësore, përfshirë rrjetet e ujësjellësit dhe kanalizimit, trajtimin e ujërave të ndotura dhe menaxhimin e mbeturinave.
Ministri Hoxha vuri në dukje se bashkëpunimi i ngushtë me komunat është çelësi për realizimin e projekteve që sjellin rezultate konkrete për qytetarët dhe për mjedisin.



