Ministri Hoxha takoi ambasadorin e Çekisë Jaroslav Ludva: Thellimi i bashkëpunimit dypalësh për mbrojtjen e mjedisit

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot u takua me ambasadorin e Republikës Çeke në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Jaroslav Ludva. Në takim u konfirmua bashkëpunimi i shkëlqyer dypalësh dhe marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në mundësitë për thellimin e mëtejmë të tyre.

Ministri Hoxha shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Çekia i jep Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar edhe rolin aktiv të Ambasadës Çeke në Shkup në avancimin e bashkëpunimit në fushën e mjedisit jetësor.

Në këtë kontekst, në takim u bë edhe një përmbledhje e konkluzioneve nga mbledhja e fundit e Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik, e mbajtur në mars të vitit 2025 në Pragë, si dhe e kontakteve të realizuara ndërmjet ministrive përkatëse. U diskutua për cilësinë e ajrit, kontrollin e ndotjes industriale dhe praktikat bashkëkohore në menaxhimin e mbeturinave, përfshirë edhe përvojat nga vizita në qendrën për menaxhimin e mbeturinave të qytetit të Pragës.