Ministri bullgar: Do t’i bojkotojmë negociatat me BE-në nëse nuk ka avancim për çështjet historike

Bullgaria do ta bllokojë konferencën e parë ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut me BE-në, nëse komisioni i përzier nuk arrin harmonizim për çështjet e hapura historike, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministër bullgar i Mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov.

Ai në një deklaratë për TV 24 tha se diplomacia e Maqedonisë së Veriut tani më tre vjet pasi u nënshkrua Marrëveshja për fqinjësi të mirë shmang zgjidhjen e problemeve dhe pret që BE-ja të qëndrojë në mbrojte.

Sipas Sofjes zyrtare, pala maqedonase i shmang takimet e historianëve që të mos përballet me zgjidhjen e çështjes për Goce Dellçevin dhe me këtë tregohet se nuk ka dëshirë të zhvillojë dialog të sinqertë.

“Në nëntor të vitit të kaluar e ndaluam punën e Komisionit për shqyrtimin e problemeve historike. Ne e kemi thënë këtë njëqind herë në dhjetë muajt e fundit, se nëse nuk arrihet harmonizim për këto çështje, Bullgaria do të kundërpërgjigjet në konferencën e parë ndërqeveritare, ndërsa çështjet nuk do të pastrohen. Kjo është pozita e Bullgarisë dhe kjo është shumë e qartë për Shkupin”, deklaroi Karakaçanov.

Në pyetjen nëse kjo do të thotë se Bullgaria do ta bllokojë konferencën e parë ndërqeveritare, Karakaçanov direkt u përgjigj “Natyrisht”.

Karakaçanov nuk deshi të tregojë nëse Bullgaria do të vazhdojë ta problematizojë gjuhën maqedonase para miratimit të kornizës negociuese.

Sipas tij, problemi është tek Shkupi, e jo tek Sofja. Karakaçanov porosit se askush nga BE-ja nuk mund të shtypë dhe t’i tregojë Bullgarisë që ta ndryshojë pozitën dhe nuk mund vetëm një anë të bëjë kompromise dhe ana tjetër të bëjë çka të dëshiron.

“Unë mendoj se pasi kemi marrëveshje duhet të respektohen. Ju jeni pajtuar ta ndryshoni flamurin, ta ndryshoni emrin, ndërsa me atë vend i cili çdoherë i ka ndihmuar Maqedonisë mendoni se mund të veproni në mënyrë jokorrekte. Në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të ketë reciprocitet. Edhe kur Bullgaria sillet si gjentile, sillet në mënyrë korrekte, kur i ndihmon Maqedonisë, kur ishte shteti i parë që e njohu Maqedoninë, është e logjikshme të ketë sjellje të mirë reciproke edhe nga ana tjetër”, ka thënë Karakaçanov.

Diplomatët e vendeve anëtare të BE-së dje u mblodhën për të biseduar për projekt kornizën negociuese për Maqedoninë. Vazhdimi i diskutimit në nivel teknik në BE duhet të vazhdojë të premten.

Kreu shtetëror i Maqedonisë së Veriut në disa raste publikisht e prezantoi qëndrimin se nuk pret që Bullgaria ta bllokojë fillimin e negociatave me BE-në. Shkupi zyrtarisht pret që së shpejti të publikohet korniza negociuese, ndërsa konferenca ndërqeveritare për fillimin e negociatave aderuese me BE-në të ndodhë deri në fund të vitit.