Ministri britanik pranon zhdukjen e 200 fëmijëve azilkërkues, 88% e tyre janë shqiptarë

Një ministër britanik pranoi se 200 fëmijë azilkërkues të cilët ishin të vendosur nga Zyra për Punët e Brendshme nëpër hotele janë zhdukur.

Në mesin e tyre përfshihen një vajzë dhe të paktën 13 fëmijë nën 16 vjeç, tha ministri Simon Murray në Dhomën e Lordëve të hënën.

Ministri britanik tha se 88 për qind e 200 fëmijëve, 176, janë me origjinë shqiptare, dhe u shpreh se qeveria shpreson që të heqë dorë nga përdorimi i hoteleve si vende akomoduese për fëmijët, sa më shpejt të ishte e mundur.

Deklarata vjen pasi një burim nga një prej zyrave të Ministrisë së Brendshme në Brighton tha se disa fëmijë ishin rrëmbyer në rrugë jashtë një ndërtese dhe ishin futur në makina.

Departamenti është paralajmëruar nga policia se azilkërkues në moshë të mitur, që kishin mbërritur së fundmi në Britaninë e Madhe, një pjesë e mirë me varka të vogla, pa prindër apo kujdestarë, do të ishin në shënjestër të rrjeteve kriminale.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një prej deputetëve të parlamentit britanik, Murray tha: “Zyra për Punët e Brendshme nuk ka fuqi për t’i ndaluar fëmijët të pashoqëruar azilkërkues që ndodhen në këto hotele dhe ne jemi në dijeni se disa prej tyre janë zhdukur. Shumë prej atyre është bërë e mundur që të gjurmohen”.

Qëkur Zyra për Punët e Brendshme nisi të vendosë azilkërkuesit nëpër hotele në Brighton dhe Hove në Korrik të 2021, 137 fëmijë të pashoqëruar janë raportuar si të zhdukur, tha një zëdhënës i policisë.

Prej tyre, 60 janë gjetur, ndërsa 76 raste të tjera mbeten nën hetim./tvklan