Ministrat që e shoqëronin i dërgon në Tiranë/ Rama mbërrin në Athinë: Drekë pune me Mitsotakis

Kryeministri shqiptar është nisur i vetëm drejt Athinës, nga Ankaraja, rreth orës 08.35. Delegacioni që e shoqëronte në Turqi, i përbërë nga ministra e drejtorë të rëndësishëm, do të mbërrijë në Tiranë me një avion tjetër.

Rama ka mbërritur në Athinë ku do të takohet për një drekë pune me kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis.

Ai ka ndarë një foto teksa zbret në aeroportin e Athinës ku shkruan se me homologun grek do të diskutojë për koordinimin e luftës kundër COVID, forcimin e marrëdhënieve mes du vendeve dhe integrimin europian të rajonit.

“Në Athinë për një drekë pune me Kryeministrin Mitzotakis,për të diskutuar mbi koordinimin e mëtejshëm në luftën e përbashkët kundër Covid19;forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve;bashkëpunimin rajonal dhe integrimin europian të rajonit tonë”, shkruan Rama

Kreu i qeverisë mbylli dje vizitën 2-ditore në Turqi ku ndodhej me një pjesë të kabinetit të qeverisë së tij. Rama u takua në Stamboll me presidentin turk Recep Tayp Erdogan.