Ministrat në rolin e zëdhënësve

Si u transformua komunikimi i qeveritarëve me publikun? Si u bë që rrjetet sociale të zëvendësojnë mediat në procesin e kumtimit të lajmeve “pushtetare”? A ishte transparenca e skajshme e kryeministrit Zaev metoda më e mirë për komunikim me mediat dhe përmes tyre edhe me publikun? Pse ministrat shfaqen në rolin e zëdhënësve, ndërsa shumë ministri dhe institucione nuk kanë zëdhënës?

Shkruan: ARTA TAHIRI

Në epokën e rrjeteve sociale dhe gazetarisë onlajn, nëse një ngjarje ndodh dhe nuk shfaqet në portale, Fejsbuk, Tuiter ose Jutjub, është njësoj si të mos ketë ndodhur fare. Kjo më parë thuhej për mediat tradicionale, si shtypi, radioja dhe televizioni.

Politikanët tashmë e kanë kuptuar se, nëse aktivitetet e tyre nuk shfaqen në media, të reja ose tradicionale, nuk ndikojnë pozitivisht ndaj imazhit të tyre politik dhe publik. Ne, midis tjerash, realisht jetojmë edhe epokën e imazheve, pra të formës dhe jo të përmbajtjes dhe qenësores. Natyrisht, kjo nuk është vetëm rezultat i PR-it (marrëdhënieve me publikun) propagandues të politikës, por është prodhim i shumë faktorëve, që kanë ndikuar që të kemi një realitet imazhesh, i cili dallon nga realiteti objektiv.

Duke e kuptuar se politika pa mediat është një hiç i madh, politikanët i kushtojnë rëndësi të madhe “brendimit” të tyre publik, ndërsa shpesh suksesi i tyre nuk varet nga puna dhe rezultatet e arritura, por nga numri i publikimeve në rrjete sociale ose sasia e lajmeve në mediat onlajn.

Sigurisht, nuk do të ishte korrekte, nëse në këtë kontekst nuk e themi faktin se edhe mediat, pa ndjekjen, interpretimin dhe analizën e politikës, nuk mund të mbijetojnë profesionalisht dhe nuk do të ishin aq interesante për publikun, aq më shumë që ndër dekada, për shkak të shumë rrethanave historike dhe shoqërore, është kultivuar publiku i politizuar.

Duke nisur nga rëndësia e madhe e mediave, disa politikanë tejkaluan kufijtë e komunikimit publik, e në veçanti me mediat. I tillë ishte kryeministri Zoran Zaev, i cili i entuziazmuar nga fakti që arriti të bëhet kryeministër, vendosi që të komunikojë drejtpërdrejt me gazetarët e mediave të ndryshme, të cilëve u kthente përgjigje kurdo që kishte kohë të lirë, qoftë edhe në orët e vona të natës. Gjithë këtë e bënte në emër të transparencës dhe vullnetit të mirë për të njoftuar publikun me vendimet e qeverisë dhe qëndrimet e tij si kryeministër.

Zaevi këtë praktikë e zbatoi jo vetëm me gazetarët, por edhe me qytetarët, e si rezultat u përhap fjalia e njohur “Është folur me Zaevin”. Pra, gazetarët anashkalonin zëdhënësit, shefat e kabineteve, këshilltarët, ministrat, zëvendëskryeministrat dhe komunikonin drejtpërdrejt me kryeministrin, e ai duhej të kishte përgjigje për shumë sfera dhe për të gjitha probleme të qytetarëve. Mbireale!

Gjithsesi se as kryeministri, kushdo qoftë ai, nuk është “supermen” dhe nuk ka zgjidhje apo përgjigje për çdo problem. Pavarësisht dëshirës personale dhe vullnetit të mirë politik, një “transparencë” kaq e madhe e të parit të qeverisë ishte e tepruar. Ky komunikim përtej transparencës së duhur kryeministrore, qoftë edhe në një vend siç është Maqedonia e Veriut, u ndërpre pas “prankimit” (kurthit komunikues), që i bënë kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dy persona nga Ukraina, të njohur për rolin e tyre, pasi Zaevi nuk kishte qenë i pari, i cili kishte rënë pre e dy “prankistëve”.

Në anën tjetër, kemi modelin e ministrave që bëjnë PR agresiv, pasi çdo aktivitet dhe deklaratë, intervistë ose debat e shoqërojnë me tekst, pra me komunikatë për shtyp, e mbi të gjitha edhe me shumë imazhe në rrjetet sociale. Bile edhe kur takohen mes vete, duke qenë të të njëjtës parti politike! Por, duhet thënë se ka disa vendime që mund të mbulohen mediatikisht vetëm me komunikata shtypi, mirëpo ka disa të tjera, për të cilat nevojitet ballafaqim me gazetarët, për të shpjeguar dilemat që mund të ekzistojnë në opinionin publik.

Për ngjarjet, projektet ose vendimet njoftojnë vetë në rrjetet sociale, madje para mediave masive dhe në këtë mënyrë marrin rolin e zëdhënësve të ministrive, kuptohet, nëse i kanë.

Me përjashtim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk më bie ndërmend emri i ndonjë zëdhënësi të ndonjë ministrie, pavarësisht se e dimë, se në ministri të caktuara janë të angazhuar një numër i madh i “piaristëve” që publikojnë kumtesa qeveritare.

Nuk janë më mirë as institucionet e tjera të shtetit dhe ato publike. Për shembull, nuk e dimë kush është zëdhënës i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, i institucionit më përfaqësues politik, që e quajnë “shtëpia e qytetarëve”?

Prandaj, një qeverisje që mëton të jetë transparente, duhet të hartojë strategji të re për transparencë institucionale, e cila do të parashikojë që lajmet e mëdha t’i publikojnë kryeministri dhe ministrat, por kumte duhet të bëjnë edhe zëdhënësit.

Për fund, ne gazetarët e dimë se komunikimi i shëndoshë me publikun, jo vetëm që është standard demokratik, por është edhe detyrim ligjor dhe kushtetues. Besoj se politikanët do ta mësojnë rregullin e artë të demokracisë. Nëse jo, do të dëshmojnë se demokracinë dhe transparencën i kanë formulime politike, që i përdorin vetëm në formë floskulash.

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut