Ministrat gjermanë: S’do të lejojmë përshkallëzim

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius dhe ministri i Jashtëm, Johann Wadephul në takimin me kolegët evropianë në Varshavë kanë bërë thirrje për reagim me arsye dhe vendosmëri ndaj provokimeve ruse.

Shkeljet së fundi të hapësirave ajrore në disa vende të BE-së kanë treguar, se “Rusia gjithnjë e më shumë po kthehet në një kërcënim për NATO-n”, ka thënë ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius në Varshavë.

Teksa ministri i Jashtëm, Johann Wadephul, ka paralajmëruar Rusinë ndaj një “agresioni hibrid”.

“Moska teston aleatët e NATO-s me intensitet dhe shpeshtësi në rritje”, tha Pistorius, i cili në Varshavë diskutoi në podiumin e një forumi sigurie me kolegët e tij nga Holanda dhe Estonia. “Aleanca ka reaguar ndaj provokimeve të Rusisë me qartësi, unanimitet, vendosmëri dhe arsye. Nuk do të biem në kurthin e përshkallëzimit të vazhdueshëm të Putinit. Do të ruajmë gjakftohtësinë dhe do të qëndrojmë solid dhe të vendosur”, ka thënë ai.

Edhe ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul theksoi se do ta ruajnë gjakftohtësinë dhe nuk do të lejojnë përshkallëzim.

Javët e fundit vendet e NATO-s Polonia, Estonia dhe Rumania kanë njoftuar për depërtimin e dronëve apo avionëve ushtarakë rusë në hapësirat e tyre ajrore. NATO-ja i vlerëson këto si provokime të qëllimshme të Moskës, ndërsa Kremlini i hedh poshtë këto akuza. Në Danimarkë disa incidente me dronë kanë bërë që të mbyllen përkohësisht disa aeroporte. Sipas ministrit të Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt natën e së premtes janë konstatuar “grupe dronësh mbi landin e Shlesvig-Holshteinit”.

Ministri Wadephul tërhoqi vëmendjen për një mbrojtje më të mirë nga dronët.

“Pikërisht për një mbrojtje nga dronët kemi biseduar sot intensivisht, ne duhet të zhvillojmë më tej aftësitë tona për të reaguar më shpejt dhe për t’i koordinuar më ngushtë në një rrjet sistemet tona”, ka thënë ai.