Milloshoski: Zaev dëshiron ta mbajë Filipçen për shkak të tenderëve

Kuvendi ende nuk e ka marrë dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe të zëvendësit të tij Ilir Hasani, të cilat OBRM-PDUKM-ja kërkoi që kryeministri Zaev t’i dorëzojë në Parlament. Këtë në emisionin “10 Minuta” të “TV21” e deklaroi deputeti i opozitares OBRM-PDUKM, Antonio Milloshoski. Ai mes të tjerësh tha se Zaevi mundohet ta zvarrisë punën dhe akuzon se arsyeja se përse ende nuk e pranon dorëheqjen janë tenderët në shëndetësi.

“Për shembull para një viti e gjysmë dorëheqje dha zëvendësministri i atëhershëm i Arsimit, Petar Atanasov, dorëheqje kjo e cila ishte shumë e shpejtë. Për një-dy ditë e njëjta ishte proceduar në Kuvend dhe ishte konstatuar. Tani dorëheqje dha edhe Venko Filipçe, por shohim se edhe pas 10 ditëve nga parashtrimi i dorëheqjes, ajo ende nuk është dërguar në Kuvend. Vlerësojmë se Ministria e Shëndetësisë, si institucion i cili disponon me fond të madh dhe shumë tenderë, është arsyeja për shkak të së cilës Zaevi mundohet ta mbajë Venko Filipçen në postin nga i cili ai vetë dha dorëheqje”, tha Milloshoski.