Milloshoski: Pasaporta të rreme edhe për ISIS-in

Deputeti I VMRO-DPMNE-së Milloshoski deklaroi se përpos bosëve të mafias botërore, Ministria e Brendshme në vitin 2018 u ka dhënë pasaportë të rreme edhe pjesëtarëve të organizatës terroriste ISIS. Sipas Milloshoskit me këtë veprim është rrezikuar siguria e vendit, rajonit dhe interesat e NATO-s e BE-së, andaj Ministri, Spasovski duhet të japë dorëheqje.

Në shkurt të vitit 2019 në Vlorë u arrestua Fitim Dema, shtetas kosovar, me dokument udhëtimi të Maqedonisë. Ndërsa në Siri ka qenë i njohur si njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Lavdrim Muhaxherit, njëri nga anëtarët më të njohur të organizatës terroriste ISIS në rajon- deklaroi Antonio Milloshovski, VMRO DPMNE.

Qeveria i përgënjeshtroi akuzat e Milloshoskit, duke theksuar se pret nga Prokuroria t’i “pastrojë” sabotimet e VMRO DPMNE-së.

Qeveria
“Është gënjeshtër brutale që ka për qëllim manipulimin e publikut, ta pengojë zbardhjen e rastit deri në fund dhe ta dëmtojë imazhin e institucioneve, të cilat në mënyrë të përkushtuar dhe të suksesshme përballen me çdo lloj krimi.”

LSDM përsëriti kundër-akuzat se pas skandalit fshihet VMRO DPMNE-ja. Partia në pushtet pret hetim të pavarur nga institucionet, pas çka kushdo që ka shkelur ligjin do të mbajë përgjegjësi.

Para disa ditëve MBP njoftoi se njëri nga të arrestuarit në aksionin policor “Sozia” ka pasur kontakt dhe ka qenë i afërt me mbrojtësin e krimit, Hristijan Mickoski. Mickoski ende nuk tregoi a ka pasur bashkëpunim të tillë dhe kush është ai njeri. A janë këto kontakte arsyeja pse Mickoski u mundua ta rrezikojë dhe t’i bëjë sabotim operacionit policor?!- pohoi Stefan Vasev, LSDM

Ndryshe, ekspertë të sigurisë kanë paralajmëruar se skandali i mbi 200 pasaportave të rreme me të cilat Ministria e Brendshme i ka paisur kriminelët ndërkombëtar rrezikon kthimin e regjimit të vizave në raport me zonën Shengen./ALSAT