Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, ka deklaruar se partia e tij mbetet e prerë në qëndrimin se ndryshimet kushtetuese nuk duhet të ndërmerren nëse ato sjellin pasiguri të reja për shtetin dhe nuk ofrojnë garanci të qarta për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, çdo proces i tillë duhet të bazohet në kushte të forta dhe të verifikueshme, përndryshe do të ishte një hap i gabuar për vendin. Ai theksoi se VMRO-DPMNE nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës në mungesë të sigurisë për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës dhe veçorive historike të popullit maqedonas.
VMRO-DPMNE kujton gjithashtu, përmes deklarimeve të Miloshoskit, se në të kaluarën ndryshime të ngjashme kushtetuese janë prezantuar nga SDSM dhe BDI si hapa që do të sillnin përfitime dhe progres në procesin e integrimit evropian, por sipas tij, realiteti nuk i ka përmbushur pritjet.
Ai shtoi se vendi nuk duhet të hyjë sërish në një proces kushtetues pa garanci të qarta se ai do të sjellë rezultate konkrete në rrugën drejt BE-së dhe pa rrezikuar stabilitetin politik dhe identitetin shtetëror.





