Miliona euro të shpenzuara për lobim me zero të arritura/ Pas anarkisë së qeverive të kaluara, koha për bashkëveprim në kryeqytetin e ‘shenjtë’

Kohët e fundit, Serbia ka shtuar fushatën e saj kundër shtetësisë së Kosovës.
Derisa, presioni ndërkombëtar për përmbylljen e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po rritet, në opinion është paraqitur ideja që shteti ynë të paguaj kompani lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për promovimin e shtetësisë.

Por, praktikat e Kosovës me lobimin, sidomos viteve të fundit nuk ishin edhe aq efikase, e madje u shfrytëzuan edhe për qëllime personale të disa udhëheqësve.

Mjafton këtu ta kujtojmë faktin se zyra e ish Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi kish shpenzuar rreth gjysmë milionë euro për të angazhuar një kompani lobuese amerikane.

Thaçi paguante 52 mijë euro në muaj një kompani amerikane për lobim

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fund të vitit 2017, do të angazhonte një nga lobuesit më të njohur në Uashingtonin, “Brian Ballard”, të cilin e paguante 52 mijë euro në muaj, apo 1.2 milionë dollarë për shërbimin, siç parashihej në kontratë.

Kjo kompani, sipas Presidencës, do të mbështeste nismat e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, do të ndihmonin në krijimin e një dinamike të re në procesin e pajtimit, por edhe në proceset tjera siç është modernizimi dhe transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Megjithatë, ky lobim nuk rezultoi shumë i suksesshëm bazuar në arritjet e mangëta të shtetit të Kosovës, si numri i vogël i njohjeve, fushata agresive e Serbisë dhe kërkesat për çnjohje etj.

Madje, përgjatë kohës sa ishte kontraktuar kompania në fjalë nga ish presidenti Hashim Thaçi, kishte lindur edhe ideja për shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila para se të “vdiste” përfundimisht u quajt edhe si “korrigjim i kufijve”.

Qeveria pa përgjigje

Zyra për Informim e Qeverisë së Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës “Bota Sot”, lidhur me mundësinë e kontraktimit të ndonjë kompanie për lobim në ShBA.

Për këtë çështje nuk janë përgjigjur as nga Ministra e Punëve të Jashtme.

Nga ana tjetër, publicisti Ramazan Bekteshi, që jeton dhe vepron në ShBA, ka shpjeguar për gazetën “Bota sot” nëse lobimi është domosdoshmëri apo shpenzim koti?

Bekteshi: Në kohën e Thaçit u shkelën rregullat

Bekteshi ka shpjeguar se lobimi në (ShBA) mbështetet si pjesë e demokracisë pjesëmarrëse, është i rëndësishëm për një qeveri produktive dhe është i mbrojtur ligjërisht dhe nuk është i njëjtë me ryshfetin.

ImageRamazan BekteshiFOTO GALERI
Sipas tij, edhe Kosova si grup i interesit ka angazhuar kompani lobimi në SHBA që nga koha e qeverisë Bukoshi.

“Edhe Kosova ka qenë prezentë aty e përfaqësuar nga firma për ‘PR’ që nga koha e KM në ekzil, Bukoshit, në vitet e ‘90-ta me (Rudder Finn Inc., Arnold & Porter, WIG, Patton Boggs, Global Communications), por pa shënuar ndonjë sukses që e meriton të mbetet në kujtesën tonë kolektive, sepse këtë punë më mirë e bënin shqiptaro-amerikanët me miqtë e tyre dhe me financat e tyre vetanake, por, dhe respekti që gëzonte presidenti Rugova.

Edhe në kohën e Hashim Thaçit janë angazhuar firma për PR si (Podesta Group, Patton Boggs, Rhoads Group) dhe sipas ligjeve amerikane të gjitha kontratat e këtilla duhet të publikohen nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe shpesh Qeveria e Kosovës i ka shkel këto rregulla dhe s’dihet ku ka qenë interesi. Disa ngritin dyshime se shumë para janë harxhuar për interesa të ngushta të politikanëve tanë si gjatë qeverisjes së Thaçit. Megjithatë, harxhimi i parave të shtetit me një firmë të duhur për lobim mund ti sjelli shtetit dobi që ia vlen. Pra, në Uashington DC suksesi është një ‘kombinim i njohurive dhe lidhjeve personale’, është shprehur Bekteshi.

Po ashtu, ai është shprehur se shqiptaro-amerikanët me organizatat e tyre apo në mënyrë individuale janë marr me lobim që në fillim të shekullit XX derisa rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka luajtur Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

“Pas çlirimit të Kosovës më 1999-të, lobimi në Amerikë e humbi shkëlqimin, jo me fajin e shqiptaro-amerikanëve, por të politikanëve tanë pa vizion që s’patën kurrë interesim që ta mbajnë të gjallë atë organizim të shkëlqyeshëm, s’patën vizion që ta mbajnë të gjallë atë koherencë kombëtare që çështja e Kosovës i kishte bashkuar si asnjëherë më parë të gjithë shqiptarët e Amerikës nga të gjitha trojet e tyre etnike. Këtë solidaritet të madh që e kishte arrit kulmin pas një shekulli që kur arriti shqiptari i parë në Amerikë (1876) politikanët tanë e lanë pas dore, dhe përkundrazi, këtu, kohët e fundit erdhën shumë politikanë të korruptuar nga Kosova e posaçërisht nga Shqipëria, jo me agjendë kombëtare por individuale dhe përçarëse”, potencoi ai.

Situatë e palakmueshme pas pavarësisë

Bekteshi ka treguar se derisa në vitet e ‘90-ta Kosova kishte 33 anëtarë në grupin e kongresistëve ‘Congressional Albanian Issues Caucus’, sot kur jemi shtet i pavarur dhe me ambasadë në Uashington DC, ky numër ka rënë në shtatë.

“Tani, kur shumë miq tanë që kanë pasur rol në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës kanë kaluar në amshim si: Tom Lantos, Henry Hide, Benjamin Gilman, John McCain, Robert Dole dhe ndonjë tjetër, derisa shumë përkrahës tanë nuk janë më aty, ose për shkak se i kanë humbur zgjedhjet ose për shkak se janë pensionuar apo se e kanë ndërruar profesionin. Derisa në vitet e ‘90-ta Kosova kishte 33 anëtarë në grupin e kongresistëve ‘Congressional Albanian Issues Caucus’, sot kur jemi shtet i pavarur dhe me ambasadë në Uashington DC, ky numër ka ra në shtatë (7). Dhe këtu lind edhe dilema, si ka mundur komuniteti shqiptaro-amerikan dhe organizatat e saja të mirëmbajnë një shifër aq të lartë miqsh kur e kanë pasur në dorë lobimin, derisa pas pavarësisë me ambasadë në DC të vijmë në këtë situatë të pa lakmueshme”, ka theksuar Bekteshi.

Tutje ai ka thënë se, zgjedhja e një firme lobuese të duhur ka me shumë rëndësi se sa pagesa, dhe një firme që garanton sukses ia vlen të paguhet më shumë se sa një firmë lobuese e lirë pa fuqi ndikuese.

“Qeveria aktuale do të duhej ta ketë prioritet edhe lobimin në DC në bashkëpunim të ngushtë me shqiptaro-amerikanët, personalitete të këtij komuniteti që e kanë bërë këtë veprim vazhdimisht si dhe organizata shqiptaro-amerikane që janë të verifikuara për lobim efikas, dhe një shembull tipik është LQSHA. Zgjedhja e një firme lobuese të duhur ka më shumë rëndësi se sa pagesa, dhe një firme që garanton sukses ia vlen të paguhet më shumë se sa një firmë lobuese e lirë pa fuqi ndikuese”, theksoi ai.

Koha për bashkëveprim me qytetin e shenjtë

Sipas Ramzan Bekteshit, Kosovës i duhet të loboj jo vetëm në fushën e politikës por edhe atë ekonomike dhe ushtarake.

“Seleksionimi i një PR-i adekuat nuk është edhe aq punë e lehtë kur dihet kompleksiteti i lobimit, kur të merret parasysh se mbi 12.000 lobistë aktiv janë angazhuar në DC me një shifër shpenzimi $3.5 miliardë në vit. Kosovës i duhet të lobojë jo vetëm në fushën e politikës, por edhe atë ekonomike dhe ushtarake. Pas anarkisë së qeverive të kaluara është koha për bashkëveprim në kryeqytetin e ‘shenjtë’ të lobimit. Bashkëveprimi i Kosovës, Shqipërisë dhe komunitetit shqiptaro-amerikan është një imperativ imediat”, përfundoi ai.

Bislimi: Janë shpenzuar me miliona euro për “lobim” e janë arritur zero

Kurse, ish deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Faton Bislimi, konsideron se pranvera e vitit që po vjen do të jetë më e ngrohtë se secila verë që kemi përjetuar deri më tani, në kuptimin politik.

ImageFaton BislimiFOTO GALERI
Ai e konsideron të pamjaftueshëm kontraktimin e firmave në Uashington, pasi si në të kaluarën, janë shpenzuar me miliona euro për “lobim” e janë arritur zero rezultate.

“Nuk është zgjidhje assesi ‘kontraktimi i firmave lobuese në Uashington, DC’ siç po përgatitet të bëjë MPJ-ja e jonë ngase siç kemi parë në të kaluarën, janë shpenzuar me miliona euro për “lobim” e janë arritë zero, ama bash zero rezultate për vendin. Edhe nëse duam, e kemi të pamundur që me ‘pagesa për lobim’ të arrijmë të fitojmë betejën diplomatike aty ku ka nevojë më së shumti. Nëse MPJ-ja mendon se në ditët apo javët në vijim nënshkruan kontratë lobimi me një ose dy firma në SHBA (të dyja që i njohim thellësisht), le ta dijë se nuk do të arrijë as rezultatin më të vogël. Kosova në përgjithësi e MPJ-ja në veçanti e kanë kaçikun e vogël financiar për të fituar betejën diplomatike me para për firma lobiste që sot punojnë për neve, realisht për paret tona, e nesër edhe për ato të tjetërkujt. Fundja, dollari amerikan nuk njeh kombësi e as shtet”, thotë Bislimi.

DioGuardi edhe Liga mbesin edhe sot e kësaj ditë gardianë të vërtetë të lidhjeve tona unike me Amerikën

Andaj, sipas tij, MPJ e ka për obligim kryesor, bashkë me krejt qeverinë, që fokusin ta ketë tek ripërtëritja e përkrahjes së parezervë amerikane për Kosovën.

Edhe Bislimi ka potencuar se Kosova ende i ka njerëzit që e ndihmojnë në këtë kauzë, ashtu siç e kanë ndihmuar të çlirohet e të pavarësohet.

“Dhe, për këtë, flasin kjartë faktet historike. Mjafton të bëni një kërkim në Google apo në YouTube për Joe DioGuardin dhe Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe e shihni me sytë tuaj. Që nga viti 1985 e këndej, lidhja jonë me Amerikën zyrtare dhe përkrahja e Uashingtonit për kauzën tonë kombëtare bëhet nëpërmjet DioGuardit dhe shumë e shumë figurave tjera kyçe të politikë-bërjes amerikane me të cilat na ka lidhë fillimisht pikërisht DioGuardi.

Edhe DioGuardi edhe Liga mbesin edhe sot e kësaj dite gardianë të vërtetë të lidhjeve tona unike me Amerikën. Sepse, ata këto lidhje i ndërtuan me punë të sinqertë, me fakte historike, me argumente kritike, me përkrahje të mërgatës sonë në Amerikë, dhe me bazë në interesin gjeo-strategjik amerikan, në përputhje të së cilit është edhe vet kauza jonë kombëtare”, ka përfunduar ai.