Miliona euro për të punësuar që nuk punuan, ekspertët kërkojnë hetim për ish-pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile”

Që nga viti 2016, kanë marrë paga pa qenë të pranishëm në vendin e punës. Së fundmi është marrë vendimi për ndërprerjen e kontratave të 20 zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nga komuniteti serb, të njohur edhe si pjesë e ish-“Mbrojtjes Civile”.

Lajmin për shkëputjen e kontratave e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e MMPH-së, Fitore Pacolli, duke theksuar se vendimi është marrë në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“Shkëputja e kontratave vjen si pasojë e mungesës së vazhdueshme të tyre në vendin e punës, si dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit. 

Nga evidencat zyrtare ka rezultuar se këta zyrtarë, të punësuar që nga 5 janari 2016 në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nuk kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, përfshirë mungesën e vazhdueshme në vendin e punës dhe mosrespektimin e detyrave të punës.

Do të vendosim ligjshmëri të plotë dhe standarde të njëjta për secilin në administratën publike”, është shprehur Pacolli.

Po ashtu, ajo ka shtuar se se institucionet do të jenë të pakompromis në zbatimin e ligjit.

“Askush nuk mund të mbajë statusin e të punësuarit pa përmbushur detyrimet që i takojnë. Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite, sepse shërbimi publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe respektim të plotë të detyrës zyrtare”, ka përfunduar Pacolli.

Njohësit e çështjeve politike kanë vlerësuar se punësimi i personave që nuk përmbushin detyrimet e tyre në institucionet e Kosovës përbën një problem serioz, duke kërkuar përgjegjësi dhe hetim për pagesat e realizuara ndër vite.

Sipas tyre, nuk duhet të lejohen raste ku persona të punësuar në administratën publike nuk e respektojnë marrëdhënien e punës dhe njëkohësisht vazhdojnë të përfitojnë paga nga buxheti i shtetit.

Ata kanë theksuar se institucionet duhet të sigurojnë që proceset e punësimit të bazohen në ligj, integritet dhe përgjegjësi, ndërsa rastet e dyshuara për keqpërdorim të fondeve publike duhet të trajtohen nga organet kompetente.

Burjani: Gabim i madh punësimi i njerëzve që punojnë kundër Kosovës

Image

Blerim Burjani

Foto galeri

Lidhur me këtë, analisti politik dhe juristi, Blerim Burjani, ka folur për “Bota sot” lidhur me ndërprerjen e kontratave të punës për zyrtarët serbë që kanë munguar për vite me radhë në institucionet e Kosovës, duke e cilësuar të papranueshëm punësimin e personave që veprojnë kundër shtetit.

“Natyrisht se është gabim i madh me punësu njerëz që punojnë kundër Kosovës si shtet, me investu në njerëz të cilët nuk e njohin shtetin dhe mendojnë vetëm keq për këtë shtet. Kjo është e papranueshme. Së pari, kush i ka punësu me pagë në shtetin e Kosovës me punu kundër Kosovës?”, ka thënë ai.

Sipas Burjanit, raste të tilla nuk duhet të përsëriten në të ardhmen, ndërsa ka kërkuar kujdes të veçantë edhe në procesin e punësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komuniteti serb.

“Ky është gabim që nuk duhet të përsëritet më. Edhe te gjyqtarët dhe prokurorët serbë duhet me pas kujdes të madh. Duhet të hapen konkurset dhe, mundësisht, të mos pranohen njerëz që nuk e njohin shtetin. Pra, gjyqtarët dhe prokurorët serbë së pari duhet të nënshkruajnë një deklaratë për shtetësinë, a e pranojnë apo jo, e pastaj të bëhet punësimi i tyre, përkatësisht ripunësimi. Heqja dorë nga marrëdhënia e punës ka pasoja serioze juridike, pra ka rregulla ligjore që duhet të përcillen dhe të zbatohen me përkushtim serioz”, ka deklaruar Burjani për “Bota sot”.

Qarri: Duhet të hetohen pagesat për zyrtarët fiktivë, përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Image

Gani Qarri

Foto galeri

Ndërkaq, analisti politik, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot” e ka cilësuar këtë rast si pasojë të veprimeve të kundërligjshme të ish-qeverive.

Sipas tij, të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm gjatë vitit 2025 janë shpenzuar qindra mijëra euro për këta të punësuar.

“Fatkeqësisht siç mësohet nga vet dokumentet zyrtare, shteti i Kosovës po vazhdon edhe sot ti vuaj pasojat e veprimeve të kundërligjshme të ish qeverive të inkriminuara, gjë që vërtetohet edhe nga evidencat publike ku rezultonte se në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që nga 5 janari i vitit 2016 kishte zyrtarë të punësuar serb, të cilët qysh nga dita e parë, asnjëri nga ta, nuk kanë respektuar kontratat dhe gjatë gjithë kësaj periudhe kohore kanë munguar të gjithë në punë, duke mos i përmbushur kurrë, asnjëri nga ata detyrimet ligjore që dalin nga marrëdhënia e punës, por që përkundër të gjithave, edhe së fundi, secili nga ta, kanë marrë mese 2000 euro paga mujore.

Sipas statistikave zyrtare vetëm gjatë vitit 2025, po për këta të punësuar fiktiv serb dhe pjesëtarë të organizatave terroriste serbe të ndaluara me ligj në vendin tonë, janë realizuar pagesa në vlerë prej 469.885 euro, apo rreth 2000 euro në muaj për secilin, pa u dëshmuar realisht dalja e tyre, asnjëherë në punë as vijueshmërinë e angazhimit praktik në vendpunime, çështje që siç thuhet edhe në raportin e ZKA-së, faktikisht ishte evidentuar edhe në vitet e kaluara, por nuk ishin ndërmarrë asnjëherë masat e nevojshme për ta parandaluar këtë keqpërdorim të rëndë dhe ndërprerjen e pagave kot së koti, nga paratë e taksapaguesve të Kosovës.

Madje nga 61 të punësuarit e pakicës serbe, në Ministrinë e MMPHI-së, në janarin e vitit 2016, të paktën 20 prej tyre, dihej publikisht se ishin pjesëtarë të ashtuquajturës “mbrojtje civile” serbe, të cilët që nga viti 2012, vepronin hapur në kuadër të komunave paralele serbe dhe strukturave të organizuara ilegale të Serbisë në vendin tonë, ndërsa mungesa e vazhdueshme në vendin e punës që nga data e punësimit dhe mosrespektimi i detyrave të punës”, ka detyruar Ministren e MMPHI-së, Fitore Pacolli, që me rekomandimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, të paktën 20 zyrtarëve- ish-pjesëtarë të organizatave të ndaluara terroriste serbe si e ashtuquajtura “mbrojtje civile”, të paktën pas më tepër se 11 viteve, t`ua shkëpusë përfundimisht kontratat për marrëdhënie pune, dhe atë shkaku i mosdaljes në punë, që nga dita e parë, apo 5 janari i vitit 2016”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Qarri ka ngritur pikëpyetje se pse institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë masa vetëm tani, pasi që mungesat në punë dhe pagesat për këta zyrtarë kanë vazhduar për më shumë se një dekadë.

“Pra ata që për gjithë këto vite, në vijimësi dhe periudhën mbi 11 vjeçare kanë munguar vazhdimisht në vendin e punës, por në emër të Marrëveshjes së Brukselit, qysh më 2016 ishin punësuar në këtë ministri, dhe për mese 11 vite, nuk kanë dalë asnjë minutë në punë, e megjithatë kanë marrë pagat KOT e në mënyrë tërësisht të kundërligjshme nga shteti i Kosovës, lind pyetja pse Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, u kujtua vetëm tani, që në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, ta marrë vendimin për shkëputje të kontratave me të apostrofuarit e privilegjuar në mënyrë të kundërligjshme për gjithë këtë kohë në Kosovë.

Në mënyrë që të mos vijojnë më pagesa e rroga, për njerëz të cilët ekzistojnë si të punësuar në mënyrë “fiktive” por nuk kanë punuar asnjëherë, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit me mosdaljen në punë dhe pa kontribuuar kurrë efektivisht, për vendin tonë, përveç këtij vendimi plotësisht të arsyeshëm dhe tërësisht me vend, kërkohet publikisht që në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, njëjtë si me rastin në fjalë, institucionet e Kosovës t’i rishikojnë edhe rastet e tjera të ish-pjesëtarëve të strukturave paralele të Serbisë të punësuar “me letra” në administratën publike të Kosovës, që jo vetëm se nuk kanë punuar kurrë, por për aq më keq edhe kanë qenë të angazhuar efektiv në institucionet ilegale e strukturat paralele të Serbisë dhe kanë marrë pjesë në aktet më të rënda kriminale e terroriste kundër vendit tonë, ndërsa kanë marrë e ndoshta vazhdojnë të marrin akoma edhe sot, paga nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.

Sipas tij, raste të tilla duhet të trajtohen me urgjencë dhe të ndërpriten pagesat për persona që nuk kanë kryer detyrimet e tyre të punës.

“Kontrata si këto duhet të pezullohen urgjentisht dhe të ndërpriten menjëherë pagesat të tilla kundërligjore, kur dihet mirëfilli se që nga viti 2016,kishte edhe raste të tilla drastike, të punësimit të ish-pjesëtarëve të organizatave të ndaluara terroriste serbe, si e ashtuquajtura “mbrojtje civile” apo edhe pjesëtarët e organizatës tjetër terroriste serbe, të ndaluar nga shteti i Kosovës të ashtuquajturës “brigada e veriut” të cilët derisa vet vazhdojnë të sorollaten nëpër Serbi, mund të vazhdojnë të marrin paga nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Akte të tilla, jo vetëm se janë të padrejta dhe kanë  dëmtuar shumë rëndë transparencën dhe llogaridhënien në vendin tonë, por ato përbëjnë edhe vepër penale, për të cilën, personat përgjegjës duhet të vendosen urgjentisht para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar për këtë vepër të patolerueshme kushdo që e ka lejuar dhe anashkaluar në heshtje për gjithë këto vite në Kosovë”, ka theksuar Qarri.

Në fund, ai ka kërkuar hetim të plotë për pagesat ndaj personave që kanë qenë të punësuar vetëm në dokumente, ndërsa nuk kanë kontribuar në institucionet e Kosovës.

“Duke qenë se pagesat e kundërligjshme ndaj zyrtarëve të tillë fiktiv serb që kurrë nuk janë parë në vendpunim dhe nuk kanë kontribuuar asnjëherë për këtë vend, pjesëtarë të organizatave terroriste si e ashtuquajtura “mbrojtje civile” dhe e ashtuquajtura “birgadë e veriut”, që edhe janë ngritur kundër vendit tonë dhe për këtë shkak, në muajin qershor të vitit 2023, edhe janë shpallur nga Qeveria e Kosovë organizata terroriste dhe ndaluar me ligj veprimtaria e tyre në vendin tonë, derisa ndalimi i aktivitetit të tyre me ligj, ka hy në fuqi menjëherë, jo vetëm çdo pagesë por edhe çfarëdo aktivitet i mëtejmë i tyre do duhej të bartte pasoja të rënda ligjore, të cilat shihet se me gjithë obligimin, të paktën sa i takon ndalimit të pagesave të tyre, nuk ka ndodhur deri më tani, prandaj dikush duhet urgjentisht të vendoset në bankën e të akuzuarve dhe të marrë dënimin ligjor, për këto papërgjegjësi të paprecedent që për krejt këto vite, kanë guxuar të ndodhnin në vendin tonë”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.