Presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, tha se çështjen e anëtarësimit në Ballkanin e Hapur do ta trajtojë qeveria e ardhshme dhe parlamenti.
Presidenti në ardhje deklaroi se më mirë është të marrim pjesë si Mali i Zi në Ballkanin e Hapur se sa të mbetemi jashtë saj, raporton rtcg.
“Ideja e Bashkimit Evropian (BE) u lind si ideja e bashkëpunimit ekonomik rajonal midis vendeve të Beneluksit, Gjermanisë, Francës dhe Italisë. Ne në Ballkan, shpesh harrojmë rëndësinë e integrimeve tona rajonale ekonomike kur flasim për integrime evropiane. Përmirësimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit rajonal është diçka për të cilën gjithmonë kam punuar si ekonomist”, tha Milatoviq, duke folur për nismën Open Balkan.
Ai tha se prioritet i të gjitha prioriteteve është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe “përderisa ky është qëllimi ynë kryesor, nuk shoh asnjë problem në përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal në të njëjtën kohë”.




